1 perditesime
21:40

Maliqi: Nëse Kosova nuk merr hapa, mund të jemi në një situatë ku ndërkombëtarët s’do merren më me ne

Analisti politik Agon Maliqi, të hënën, në emisionin “Tempus” në KTV tha se në të ardhmen mund të jemi në një situatë, ku ndërkombëtarët nuk do të merren më me Kosovën.

“Në rast se Kosova nuk tregon ose nuk merr hapa, domethënë unë nuk besoj që do të ketë më përpjekje të tilla qysh mendojnë njerëzit që dikush ka me rrëzu Qeverinë. Thjesht është ndëshkim i mjaftueshëm për Kosovën gjendja në të cilën është, mjafton me lënë Kosovën në gjendjen në të cilën është, madje mund të flitet edhe për masa të tipit si ndalimi i mbështetjes ushtarake, mbështetje të programeve të ndryshme të asistencës që ekzistojnë, diçka e tillë edhe nuk përjashtohet edhe mandej munden me na thanë vazhdoni kështu qysh jeni. Mendoj që ndëshkim më të madh se kaq nuk ka”, tha Maliqi.

21:12

Maliqi: Veriu e cungimi ndërkombëtar, dy probleme që nuk mund t’i zgjidhim vetë

Analisti politik Agon Maliqi, në emisionin “Tempus” në KTV deklaroi se veriu dhe cungimi ndërkombëtar, janë dy probleme që nuk mund t’i zgjidhim vetë.

“Takimi që mbahet nesër në Ambasadë Amerikane do të duhej të ishte një takim që e mban Qeveria e Kosovës. Është një takim të cilin Qeveria e Kosovës nuk thotë vetëm se kundër çfarë lloj asociacioni është, por thotë për cilin lloj asociacioni është. Ne dëgjojmë vazhdimisht Kryeministrin Kurti, i cili thotë jemi kundër Asociacionit monoetnik, le të del Qeveria me propozimin e vet, kjo është e gjitha që po kërkohet. Na tregoni ju se cili lloj i asociacionit për juve është i favorshëm dhe ne do të ju mbështesim juve që ai të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ne do t’iu japim ekspertë edhe gjithçka që ajo të bëhet”, tha Maliqi.

Ai tha se është i nevojshëm një debat shoqëror mes nesh, për shkak se Asociacioni për herë të parë është bërë në vitin 2013, po bëhen 10 vite që po sillemi rreth kësaj teme.

“Tërë debati është kornizuar mbi atë se çfarë po humb Kosova apo çfarë rrezikon të humb Kosova dhe se ne duhet të tejkalojmë këtë dhe duhet të rikornizohet debati mbi atë se çfarë do të fitojë Kosova. Ne jetojmë në njëfarë iluzioni në atë se shtetësia e Kosovës është e mbyllur. Mirëpo, i kemi dy probleme, i pari është cungimi jonë ndërkombëtar, problem të cilin nuk po mundemi ta tejkalojmë. I dyti është kontrolli në veri. Është pa në muajt e kaluar se ku mund të shkojmë, është parë se në veri është vetëm NATO në kontroll dhe serbët lokal me ndihmën e Serbisë. Këto janë dy probleme që nuk mundemi m’i zgjedhë vetë” shtoi ai.

Maliqi tha se mendon se frustrimi që buron te një pjesë e aleatëve dhe që shpesh po reflektohet me tone të ashpra apo me masa ekstreme si mbajtjen e takimeve paralele prej të cilave përjashtohet qeveria, buron te ajo që e kishte dëgjuar “Ne s’po kuptojmë se pse s’po na lejoni të ju ndihmojmë”.

Sipas tij, në Kosovë është krijuar një ide që nuk po i bëhet presion Serbisë, por vetëm Kosovës.