Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë e Drejtësisë dhe eksperte, deklaroi se Asociacioni sipas modelit të draft-statutit të organizatës gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), assesi nuk është asociacion i komunave serbe, ngase këto të fundit janë pushtete lokale, nuk kanë racë e etnitet, por janë persona juridik.
“Sa i përket draftit që sot është publikuar, unë e theksova edhe më herët se është një model, e kam një pjesë ku realisht i kam përmbledhë në mënyrë të shkurtër disa të dhëna nga një studim shumë më i gjerë i ngjashëm. Unë kam marrë pjesë me komente nga versioni i parë deri në këtë versionin përfundimtar të këtij modeli të draftit. Ky është një model që mund të shërbejë si një model për ta hartuar një projekt të statutit të komunave, ku serbët përbëjnë shumicën e popullatës. Assesi ky Asociacion sipas këtij modeli të draftit, nuk është asociacion i komunave serbe, sepse komunat janë pushtete lokale dhe pushtetet lokale nuk kanë racë, nuk kanë etnitet, janë persona juridik publik si të tillë”, tha Mushlolaj në “Tempus” të KTV-së.