TEMPUS

Haxha: Ky sistem i drejtësisë është i politizuar, unë iu ofrova emra dhe fakte

Shyqyri Haxha, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës (PTK), ka thënë se sistemi i drejtësisë në vend është politik, ndërsa theksoi se u ka ofruar emra dhe fakte.

“Gjatë kohës tonë asnjëra nga këto nuk ka qenë, as s’ka pas Arbitrazhe as s’ka pas rënie, përkundrazi ka pas rritje të konsumatorëve. E kemi mund IPKO-n, imagjinoni në vitin 2007-2008 IPKO ka filluar ta mund Telekomin, ne e kemi rimarrë dhe e kemi filluar ritmin. Të gjitha investimet janë ndalë, këto janë të qëllimshme”, ka thënë Haxha në “Tempus” të KTV-së.

Haxha beson se sistemi prokurorial dhe i gjithë sistemi i drejtësisë është i politizuar.

“Unë si kryeshef ekzekutiv nëse them se janë të qëllimshme edhe nuk intervistohem nga asnjë prokuror, asnjë nuk më thërret se përse ti thua të qëllimshme. Por, këta prokurorë e ky sistem prokurorial, dyshimet e mia janë që janë faktikisht nën ndikimin e politikës, këta nuk të thirrin sepse nuk e kanë guximin t’iu thirrin sepse me të vërtetë ka krim të organizuar e korrupsion. Unë e tregova një rast që ka pasur krim të organizuar edhe e kom shty, tregova me çfarë sfidash jam ballafaqu. Janë ndjek raste, raste të pastra me emra, këtu nuk është ndjek problemi apo rastet, por është ndjek emri. Kjo e ka bërë sistemin e drejtësisë që të jetë i politizuar”, shtoi ai.

Ai ka thënë se kjo ka bërë që as bashkësia ndërkombëtare të mos iu besojë institucioneve tona.