Basri Kastrati, zëvendës i Avokatit të Popullit ka deklaruar se rekomandimet e Avokatit të Popullit ende nuk janë diskutuar në Kuvendin e Kosovës.
“Kohën e fundit zakonisht ka një përgjigje nga institucionet që është ai afati për t’i kthyer përgjigje për Avokatin e Popullit, kur është ana e veprimeve konkrete shihet qartë se aty ende duhet bërë më shumë, por sikur kjo është sindrom ballkanik siç themi ne, e kishim një vizite nga Avokati i Popullit i Maqedonisë dhe e njëjta situatë është edhe atje edhe te ne”, tha Kastrati të martën në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai shtoi se raporti vjetor i Avokatit të Popullit ende nuk ka kaluar në Kuvend, ku jemi në përfundim të vitit dhe e njëjta gjë është edhe në Republikën e Maqedonisë, ku kishte marrë informata nga zëvendesja e Avokatit të Popullit që dy vite rekomandimet që janë për institucionin ligjvënës që jepen nga ana e Avokatit të Popullit dhe për institucionet tjera zbatuese, e që ende nuk janë marrë parasysh në Kuvend.
Ai tutje tha se institucioni i Avokatit të Popullit kur rekomandimet nuk zbatohen sërish, ripërsëriten, rikonstatohen dhe duhet të merren më seriozisht nga ana e institucioneve.
Sipas tij, ky vit ishte i personave me aftësi të kufizuara, e gjithashtu edhe 16 ditët e aktivizmit kanë pasur aktivitet nga të gjithë akterët, por për rezultatet në praktikë ka ende punë për të bërë.
“Në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit ekziston një departament i veçantë për promovim për të drejtat e njeriut në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe besoj që ende kemi nevojë për ngritje të vetëdijes që vendimet e Avokatit të Popullit të mos diskutohen dy herë, por ato duhet të jenë obligative për institucionet e Kosovës”, tha ai.