Emrah Cermjani nga OJQ-ja “Roma in Action- RIA”, tha se kërkesat e komuniteteve pakicë nuk përfshihen në buxhet.
Cermjani në emisionin “Tempus” në KTV ndër të tjera shtoi se shumë herë dëgjimet buxhetore bëhen në atë mënyrë që komunitetet pakicë nuk i kuptojnë.
“Shumë herë ndoshta dëgjimet buxhetore apo ndoshta dëgjimet publike bëhen jo në atë model qysh komuniteti i kupton, shembull për komunitetin rom nuk ka informacione në gjuhën amtare kur bëhen dëgjimet apo thirrjet publike edhe shumë herë kemi pas raste kur i kemi pyet qytetarët e komuniteteve pse s’po merrni pjesë. Fatkeqësisht shumë prej problematikave që ata i ngrisin nuk i shohin të zbatueshme tek institucionet komunale, shembull infrastruktura, kanalizimi, uji i pijes e shumëçka tjetër”, ka thënë ai.
Cermjani ka thënë se nuk ka pasur rezultat sa i përket kërkesave të ngritura nga komunitetet pakicë.
“Nuk kanë pasur asnjëherë rezultat që nevojat apo kërkesat e tyre, të cilat janë ngrit me vendimmarrjen e komunës, drejtorit apo kryetarit, apo kushdo që të jetë, shumica prej tyre nuk janë fut në dëgjime buxhetore, ka shumë herë që vazhdimisht i kanë ngrit, mirëpo kanë hasë këto në veshë të shurdhër”, tha Cermjani.