TEMPUS

Miftaraj: Ende ka gjyqtarë që e shkelin etikën

Ehat Miftraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se ende ka gjyqtarë që nuk e marrin punën seriozisht dhe shkelin etikën.

“Besoj që gjithçka lidhet me atë vullnetin politik, mos t’i them tash vullnet politik në kuptim të politikës, por në vullnetin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, me vullnetin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Është e vërtetë se si në KGJK dhe në KPK, rregulloret për vlerësim të performancës nuk kanë qenë ndoshta më adekuatet në kuptim të vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve në mënyrën më profesionale të mundshme, por që kanë qenë disa parametra që nëse do të ishin bërë në mënyrën e duhur, besoj që do të kishim ndoshta më shumë përgjegjësi, më shumë llogaridhënie, qoftë në gjykata, qoftë në prokurori”, tha Miftaraj të martën në “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, iniciativat e fundit nga Këshilli Gjyqësor, kanë filluar ta rrisin llogaridhënien e gjyqtarëve.

“Është e vërtetë se Këshilli Gjyqësor kohën e fundit i ka filluar disa iniciativa, siç është Komiteti i Etikës, siç janë disa risi të cilat në njëfarë mënyre vetëm kanë filluar të rrisin llogaridhënien e gjyqtarëve. Po shihet se kemi në vitin e fundit një rritje të llogaridhënies te puna e gjyqtarëve, qoftë në kuptim të efikasitetit apo në kuptimin që e marrin punën më seriozisht se në të kaluarën, por që sërish mbesin probleme të vjetra. Si IKD mund të themi se në baza ditore ballafaqohemi me gjyqtarë që nuk është se e marrin ende punën shumë seriozisht, nuk është se ende i trajtojnë palët në mënyrë të drejtë, në mënyrë të barabartë. Krejt lidhet me faktin se sa do të jenë Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial i Kosovës, efikas për ta zbatuar ligjin më strikt në raport me gjyqtarët dhe ligjin”, tha Miftaraj.

Lidhur me kthimin e lëndëve në rigjykim, Miftaraj tha se është koha e fundit që gjyqtarët ta kenë guximin profesional.

“Gjykata e Apelit, por edhe Gjykata Themelore e kanë ndërtuar këtë kulturën e lojës ping-pong, te ne vijnë shumë qytetarë që po ballafaqohen me procese gjyqësore, mund të them 10-15 deri 20 vjet dhe kur i analizojmë vendimet e shkallës së parë dhe shkallës së dytë e shohim që janë vendime shumë të lehta, por që gjyqtarët s’po kanë guxim të vendosin dhe Gjykata Themelore vendos një mënyrë, Apeli e kthen katër apo pesë herë në rigjykim të njëjtën lëndë”, tha Miftaraj.

Sipas tij, te vlerësimi i përformancës së gjyqtarëve duhet të jetë puna më kualitative që duhet të vlerësohet nga ana e panelit për vlerësimin e performancës, por edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në fund, Miftaraj tha se qytetarit nuk i intereson se sa raste i ka kryer një gjyqtar brenda muajit, por i intereson kur e realizon të drejtën dhe kur qytetarit i kthehet një lëndë 2-3 herë në rigjykim është zhgënjim dhe kjo ndikon jashtëzakonisht shumë që qytetarët ta humbin besimin në drejtësi.