Këto dështime nuk janë të kohëve të fundit, thotë eksperti i sigurisë kibernetike dhe për to po dëgjojmë vetëm tani sepse është në interes të dikujt.
WhatsApp gjatë vitit të kaluar i raportoi 12 lëshime të sigurisë, deklaroi baza nacionale e cenimit të të dhënave në SHBA. Ky raport kontribuon më tej në çështjen e sigurisë së të dhënave të këtij aplikacioni, duke i marrë parasysh pretendimet e fundit se princi saudit Mohamed bin Salman e ka hackuar telefonin e Jeff Bezos, themeluesit dhe pronarit të Amazon.
Të dhënat nga baza nacionale e cenimit të të dhënave në SHBA tregojnë se nga 12 lëshimet, madje 7 janë "kritike", shkruan KOHA Ditore. Me këtë, shkalla e cenueshmërisë së të dhënave u ngrit ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara, kur WhatsApp e raportoi një ose dy shkelje të sigurisë, raporton Business Insider.
Kompania Facebook, e cila e bleu WhatsApp në vitin 2014, po mundohet të kuptojë se ku ndodhi ndërhyrja në sistemin operativ të pajisjes së Bezos.
Nick Clegg, nënkryetari i Facebookut përgjegjës për çështjet dhe komunikimet ndërkombëtare, tha për BBC javën e kaluar se hackimi i telefonit të Bezos nuk mund të jetë gabim i WhatsApp, pasi që sistemi i korrespodencës ishte i mbyllur me kod, gjë që i pamundëson ata të kenë qasje në mesazhe.
Ekspertët si Marc Rogers, nënkryetar i sigurisë kibernetike në kompaninë Okta, e cila merret me ndërtimin e softuerit për ruajtje të të dhënave dhe programeve të sigurisë së klientit, konsiderojnë se këto lëshime nuk janë të reja.
Edhe
Zuckerbergu njofton për veçoritë e reja të WhatsAppit
"Fakti që në vitin 2019 kanë gjetur lëshime të sigurisë nuk do të thotë që ato u krijuan pikërisht atëherë. Shumë prej tyre sigurisht kanë ekzistuar shumë kohë më parë, ndërsa ka shumë të ngjarë që dikush i ka keqpërdorur ato", pretendon Rogers.
Ai shton se vetëm tani po dëgjojmë për cenueshmërinë e të dhënave në WhatsApp, sepse është në interes të dikujt, i cili edhe vetë frikësohet se sa larg është shkuar me keqpërdorimin.