Tech

Sonda New Horizons “ndryshon teorinë e formimit të planetëve”

Shkencëtarët kanë bërë të ditur ta kenë rrëzuar “vendosmërisht” teorinë mbizotëruese mbi mënyrën se si janë formuar planetët në sistemin tonë diellor.

Konstatimi i pranuar deri më tani ishte se grimcat janë përplasur ashpërsisht për të formuar grumbuj më të mëdhenj, krejt derisa të jenë shndërruar në atë që njihen si botë. Rezultatet e reja sugjerojnë se procesi nuk ishte kaq katastrofik – pasi që grimcat janë grumbulluar më butësisht, transmeton Koha.net.

Studimi i ri është botuar në revistën shkencore “Science” dhe është prezantuar në Shoqatën amerikane për Përparimin e Shkencës, në Seattle.

Hulumtuesi kryesor i studimit, Alan Stern, ka thënë se zbulimi i ri është i “përmasave të jashtëzakonshme”.

Objekt i largët që nuk është parë më herët

“Ishte teoria mbizotëruese nga koha e fundit të viteve 1960 që fliste për përplasje të ashpra dhe një teori më e re që tregonte për akumulim më të butë. Njëra është pa ndonjë vlerë dhe tjetra është e vetmja që qëndron. Kjo gjë ndodh rrallë në shkencën planetare, por sot ne e kemi zgjidhur çështjen”, ka thënë ai për BBC. Pretendimi buron prej studimit më të hollësishëm të një objekti në kufijtë e jashtëm të Sistemit Diellor. I quajtur “Arrokoth”, objekti është më shumë se gjashtë miliardë kilometra larg Diellit, në një rajon të quajtur Rripi Kuiper. Është mbetje e pacenuar e formimit të planetit, pasi Sistemi Diellor të jetë formuar 4.6 miliardë vjet më parë, me dy trupa që kombinohen për të formuar një më të madh.

Shkencëtarët kanë arritur të realizojnë fotografi me rezolucion të lartë të Arrokothit, kur sonda kozmike e NASA-s “New Horizons” fluturoi afër tij rreth një vit më herët. Kjo fotografi u ofroi shkencëtarëve mundësinë më të mirë për të kuptuar se cila prej këtyre teorive konkurruese ishte e saktë: a u përplasën dy komponentët apo kontakti ishte në fakt i butë?

Analiza e shkencëtarit Stern dhe ekipit të tij nuk kanë mundur të gjenin kurrfarë prove mbi impaktin e dhunshëm. Studiuesit nuk gjetën gjurmë të përplasjes, duke lënë kësisoj që të kuptohet se objektet ishin bashkuar në mënyrë të butë.

“Kjo gjetje është plotësisht e besueshme”, ka thënë Stern. “Me vetëm një fluturim sipër, Arrokoth ishte në gjendje që të vendosë midis dy teorive”.

Teoritë e mëparshme

Teoria më e re e grumbullimit të butë ishte hulumtuar 15 vjet më parë nga Anders Johansen, profesor në Observatorin Lund në Suedi. Në atë kohë ai ishte student i ri i doktoratës. Ideja doli nga simulimet kompjuterike. Inxhinieria Maggie Aderin-Pocock, e cila është bashkëprezantuese e programit të BBC-së “Sky at Night”, ka paralajmëruar kundër rrëzimit të një teorie të bazuar në vëzhgimin e një objekti, por tha se interpretimi i hulumtuesit Stern “ka shumë kuptim”.

“Është mirë të kesh këso provash, ngase teoria e përplasjes që shpiu në përbëshim ishte një teori e këndshme, ama kishte disa të meta. Pse objektet rrinë së bashku dhe jo larg? Kishte shumë gjëra që nuk u shtjelluan sa duhet”, ka thënë ajo.

Kur Arrokoth ishte zbuluar gjashtë vjet më parë, u pranua vetëm me përshkrimin “2014 MU69”. Në kohën e fluturimit të anijes kozmike “New Horizons”, objektit i ishte dhënë emri joformal Ultima Thule. Ndërsa ky emër vinte nga një term klasik dhe mesjetar për një vend larg në kufijtë e botës së njohur, që u shfrytëzua nga okultistët nazistë si atdheu mitik i racës ariane dhe shkaktoi polemikë.

{gallery}