Përparësitë e Bitcoinit janë të dukshme. Kjo kriptomonedhë është më e njohura dhe më e qasshmja. “Kjo e bën më të lehtë që viktimat e zhvatjes të përmbushin kërkesat nga kriminelët”, ka thënë Thomas Faber nga Shkolla e Financave dhe Menaxhimit në Frankfurt
Kriptomonedhat konsiderohen transparente dhe të decentralizuara.
Në blockchain, të gjitha transaksionet mund të gjurmohen përgjithmonë. Megjithëkëtë, Bitcoini është një monedhë e mundësive për kriminelët e internetit. Por si mund të sqarohet kjo?
Ata tanimë janë të gatshëm edhe të negociojnë: Pasi fillimisht kërkuan 70 milionë dollarë (59 milion euro), hakerët që qëndrojnë prapa sulmit kibernetik “Kaseya” të fundjavës së kaluar mund të merren vesh për 50 milionë dollarë pagesë. Nëse arrihet marrëveshja, atëherë do të ishte më e madhja në historinë e krimit kibernetik, ka shkruar agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle”.
Si kompensim për 50 milionë dollarët, hakerët do të çaktivizonin enkriptimin e malware-it, i njohur ndryshe edhe si ransomware – që ka pushtuar rrjetet e 1 mijë e 500 kompjuterëve anembanë botës.
Grupi i hakerëve “REvil” qëndron prapa sulmit. Ky grup ka kërkuar pagesën me Bitcoin. Joseph Edwards nga kriptobrokeri “Enigma Securities” thotë për DW-në se është e pazakontë që zhvatësit të kërkojnë një sasi kaq të madhe në formë kriptomonedhash.
“Kjo tingëllon më shumë si një marifet publiciteti”, ka thënë Edwards për DW-në.
Shantazhuesit preferojnë shuma të vogla
Është më tipike që zhvatësit të kërkojnë shuma të vogla, që sillen midis 100 mijë deri në 2 milionë dollarë, ka thënë Edwardsi.
“Këto dalin të jenë shuma të vlefshme, por edhe shifra që kompanitë janë të gatshme t’i paguajnë me shpejtësi për të shmangur publicitetin e dëmshëm”, ka theksuar ai për agjencinë.
Qëllimi i kriminelëve, ka sqaruar Edwards, ishte që të parandalonin përfshirjen e autoriteteve, sepse sapo hetuesit të nisin gjurmimin e transaksioneve në Bitcoin, “bëhet gjithnjë e më e zakonshme që kriminelët të ekspozohen, të humbasin paratë e tyre dhe të shmangin arrestimin, vetëm ngase janë jashtë juridiksionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shembull në Rusi ose Kinë”.
Prapëseprapë, Bitcoin e vuri në modë zhvatjen me ransomware, ka thënë Mikko Hypponen, shefi i kërkimit në kompaninë finlandeze për shërbimet e sigurisë “F-Secure”.
“Thuhej se Bitcoini është anonim dhe i pagjurmueshëm. Mirëpo kriminelët e kanë kuptuar se nuk është aq i pagjurmueshëm, siç mendonin dikur”, ka shtuar ai, duke folur për DW-në.
Kompania analitike “Chainalysis” analizon transaksionet e kriptomonedhave. Një prej studimeve të saj merret me haraçin e internetit. Sipas kompanisë, vëllimi i këtyre formave të pagesës me monedha digjitale është rritur në vitet e fundit.
Bitcoin ka qenë i preferuar deri tani, por kriptovaluta Monero gjithashtu luan një rol në këto pagesa, ka thënë Duncan Hoffman, menaxher i përgjithshëm i “Chainalysis” për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Sidoqoftë, ai ka thënë se kompania është e njoftuar vetëm për sulmet që janë bërë publike.
“Ndoshta ka më tepër raste kur kompanitë në heshtje kanë paguar shpërblimet, por për të cilat nuk dimë asgjë”, i ka thënë ai Deutsche Welles.
Bitcoin nuk është bash anonim
Përparësitë e Bitcoinit janë të dukshme. Kjo kriptomonedhë është më e njohura dhe më e qasshmja.
“Kjo e bën më të lehtë që viktimat e zhvatjes të përmbushin kërkesat nga kriminelët”, ka thënë Thomas Faber nga Shkolla e Financave dhe Menaxhimit në Frankfurt.
Kushdo që dëshiron të tregtojë ka nevojë për një kuletë digjitale. Kjo kuletë ka një adresë ku çdo transaksion ruhet përgjithmonë dhe gjithashtu mund të mbikëqyret nga jashtë.
“Çdokush mund të shohë dhe gjurmojë bilancin e llogarisë dhe të gjitha transaksionet e një adrese pa asnjë devijim”, ka thënë Faber.
Thembra e Akilit
“Identitetet mund të fshihen pas adresës së kuletës, por në një moment, Bitcoinët duhet të shkëmbehen me para të vërteta, përndryshe vlera mbetet e padobishme për shumë qëllime”, shkruan Deutsche Welle.
Në këtë pikë, askush nuk mund të veprojë pa provë të identitetit, ka thënë Faber.
Kur një kriptovalutë shkëmbehet për para të vërteta, ajo ofron një perspektivë të madhe për hetuesit, ka thënë Joseph Edwards nga “Enigma Securities”. “Pothuajse të gjitha shkëmbimet kërkojnë verifikim të rëndësishëm të identitetit për të gjitha transaksionet”, thotë ai për agjencinë.
Sipas një analize të Chainalysit, më shumë se 80 për qind e shumave të zhvatura me Bitcoin u transferuan në vetëm pesë këmbimore. Kjo tregon se shumë këmbimore po bënin një punë të mirë, ka thënë Hoffman. “Mirëpo tregon se disa prej tyre mbyllnin syrin ose thjesht nuk monitorojnë aktivitetin”.
Përmirësimet e dukshme
Një mënyrë tjetër për të shkëmbyer Bitcoinë të fituar nëpërmjet zhvatjes janë të ashtuquajturat shkëmbime “kokë me kokë”, ka thënë Faber, ekspert i blockchainit. Kjo përfshin një shitje midis dy personave që zhvillohet në internet. Dy personat mund të blejnë shërbime ose produkte me Bitcoin në rrjetet e errëta.
Sidoqoftë, në të dyja rastet, personi që merr Bitcoin ka një monedhë digjitale që një ditë mund të gjurmohet në një transaksion ransomware. Edhe këtu ka mënyra për të maskuar edhe më shumë origjinën e Bitcoinëve. Këtë e bëjnë të mundur të ashtuquajturit “përzierësit”.
Mirëpo mjetet e gjurmimit janë bërë edhe më të fuqishme, ka thënë Edwards.
“Nëse zhvatja është në shumë të majme, autoritetet përqendrojnë vëmendjen e plotë në të dhe kjo e bën më të lehtë gjurmimin e kriminelëve”, ka thënë ai për DW-në.
Grupi i hakerëve DarkSide mësoi kurthet e kërkimit të shpërblimeve në Bitcoin, por e pagoi çmimin. Hakerët morën 4 milionë dollarë në Bitcoin nga Colonial Pipeline në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që kompanisë t’i kthehej sistemi që ia kishin bllokuar.
Megjithëkëtë, FBI-ja i gjurmoi pagesat, duke kontrolluar 23 kuleta dhe qe në gjendje që të rikthente pjesën më të madhe të parave.
Ishte ky një mesazh i qartë për numrin në rritje të hakerëve: Jemi hija juaj.
Pas këtij sulmi, Deutsche Welle shkruan se një grup tjetër siguroi 11 milionë dollarë në formë Bitcoini nga prodhuesi më i madh i mishit në botë, JBS. Ky sulm besohet se është vepër e grupit Revil.