Google shpenzon më tepër duke u përpjekur të ndikojë vendimmarrësit evropianë dhe ligjet e miratuara prej tyre, se sa çdo kompani apo organizatë tjetër, zbulon një studim i ri.
Qindra kompani, grupe biznesi dhe shoqata po shpenzojnë 97 milionë euro në vit duke u përpjekur të ushtrojnë ndikim tek institucionet e BE-së.
Sektori i teknologjisë tashmë e tejkalon shpenzimin për lobim të kompanive farmaceutike, karburanteve, financës dhe industrive kimike, sipas studimit të publikuar nga “Coroporate Europe Observatory and Lobbycontrol”.
Shpenzuesit e mëdhenj
Google e kryeson listën, duke shpenzuar rreth 5.75 milionë euro në vit për të ndikuar vendimmarrësit evropianë, i ndjekur nga Facebook me 5.5 milionë euro, Microsoft 5.25 milionë euro, Apple me 3.5 milionë euro, Huawei me 3 milionë dhe Amazon me 2.75 milionë.
10 kompani teknologjike, Vodafone, Qualcomm, Intel, IBM, Amazon, Huawei, Apple, Microsoft, Facebook dhe Google janë prapa 1/3 së të gjithë parave që hidhen për lobim në Evropë.
Gjigandët e teknologjisë blejnë ‘të drejta dhe privilegje’
Përpjekjet kryesore për lobim të këtyre kompanive digjitale ishin fokusuar në dy akte, Digital Markets Act dhe Digital Services Act, të cilat janë dy legjislatura që parashikonin rregulla më strikte në lidhje me konkurrencën e drejtë, më tepër transparencë në lidhje me reklamimet si dhe rritjen e përgjegjësisë së këtyre kompanive për përmbajtjet dhe veprimet e jashtëligjshme që “mirëpriten” në platformat e tyre.
“Pushteti ekonomik dhe politik i gjigandëve digjital është i jashtëzakonshëm dhe ata nuk do të qëndrojnë pasivë përballë rregullave të reja që mund të ndikojnë në mënyrën si ata bëjnë biznes”, u shpreh Tommaso Valleti, profesor i ekonomisë në Londër. “Pikërisht për këtë arsyeje, institucionet e BE-së duhet në mënyrë urgjente të ndryshojnë mënyrën se si qasen ndaj lobimit dhe të kufizojnë pushtetin që gjendet në duart e kompanive të mëdha teknologjike”. \euronews