Tech

Twitteri e akuzon Metan për vjedhje të sekreteve tregtare me lansimin e Threadsit

Rrjeti social Twitter ka pretenduar se Meta ka vjedhur sekretet tregtare për të krijuar faqen e saj të re të mikroblogut, raportoi të dielën Reuters.

Ky pretendim mund të jetë breshëria e parë në një betejë ligjore midis gjigantëve të rrjeteve sociale.

Në një letër të dërguar të mërkurën, Twitteri pretendoi se Meta ka përdorur sekretet e saj tregtare për të zhvilluar platformën e saj të re, Threads, dhe kërkoi që ajo të ndalonte përdorimin e informacionit. Twitteri tha se Meta kishte punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitterit, shumë prej të cilëve mbanin pajisje dhe dokumente nga kompania, teksa shtoi se Meta qëllimisht i ka caktuar ata të punojnë në Threads.

Ende është e paqartë nëse do të ngrihet një padi.

Zëdhënësi i Metas, Andy Stone, përmes një postimi në Threads ka thënë se askush në ekipin inxhinierik të faqes nuk është ish-punonjës i Twitterit.

Meta lansoi Threadsin të mërkurën, platformë kjo që mund të jetë kërcënimi i parë real për Twitterin, i cili ka larguar shumë përdorues dhe reklamues që kur miliarderi Elon Musk e bleu atë vitin e kaluar.

Threads ka disa ngjashmëri me Twitterin, ashtu si edhe faqet e tjera të shumta të rrjeteve sociale që janë shfaqur në muajt e fundit.