Tech

Meta lëshon modelin e inteligjencës artificiale që mund të identifikojë objektet brenda imazheve

Pronari i Facebookut, Meta, ka publikuar të mërkurën një model të inteligjencës artificiale që mund të identifikojë objekte e një grup të dhënash me shënime nga brenda një imazhi, duke e cilësuar si modelin më të madh ndonjëherë brenda llojit të tij, raportoi Reuters.

Divizioni i kërkimit të kompanisë ka thënë në një postim në blog se Segment Anything Model (SAM), mund të identifikojë objektet në imazhe dhe video edhe në rastet kur nuk i ka hasur ato artikujt në trajnimin e tij.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë trumbetuar zbulimet e tyre të inteligjencës artificiale që kur chatboti ChatGPT i Open AI, i mbështetur nga Microsofti u bë sensacion në vjeshtë, duke shkaktuar një valë investimesh dhe një garë për të dominuar hapësirën.

Shefi ekzekutiv i Metas, Mark Zuckerberg, ka thënë se përfshirja e ndihmave krijuese të tilla gjeneruese të inteligjencës artificiale në aplikacionet e Metas, është prioritet këtë vit.

Meta tashmë përdorë teknologji të ngjashme me SAM-in brenda vendit për aktivitete si etiketimi i fotove dhe moderimi i përmbajtjes së ndaluar.

Kompania tha se lëshimi i SAM-it do të zgjeronte qasjen në atë lloj teknologjie.

Përdoruesit që ngarkojnë imazhet e tyre në SAM duhet të pranojnë ta përdorin atë vetëm për qëllime kërkimore.