Kompania mëmë e Facebookut, Meta, ka njoftuar të enjten se ka hequr qindra llogari të lidhura me spyware dhe kompani të lidhura me spiunazhin këtë vit, shkruan Bloomberg.
Këto kompani shpesh u shesin spyware qeverive dhe të tjerëve që duan të mbledhin informacione rreth përdoruesve të profilit të lartë.
Meta paralajmëroi se përdorimi i spyware për të synuar pa dallim njerëzit, duke përfshirë gazetarët dhe aktivistët, është një kërcënim i vazhdueshëm pasi kompanitë e përfshira po përshtaten dhe ndryshojnë vazhdimisht taktikat e tyre.
“Kërkimi ynë për kërcënimet tregon se industria globale e mbikëqyrjes vazhdon të rritet dhe pa dallim synon njerëzit – përfshirë gazetarët, aktivistët, palët ndërgjyqëse dhe opozitën politike – duke mbledhur informacione, manipuluar dhe kompromentuar pajisjet dhe llogaritë e tyre në internet”, thuhet në raportin e Metas.
Kompania thotë se ka ndërmarrë veprime kundër shitësve të spyware në shumë vende, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Izraelin dhe SHBA-në. Produktet e shitura nga këto kompani u përdorën për të synuar përdoruesit në rreth 200 vende në mbarë botën.
Përveç çaktivizimit të këtyre llogarive, Facebooku ka thënë se ndau gjetjet me institucionet përkatëse dhe studiuesit e sigurisë.