Tech

Meta kërcënon t’i largojë nga Facebooku përmbajtjet e lajmeve në SHBA

Meta ka kërcënuar t’i largojë nga Facebooku përmbajtjet e lajmeve në SHBA.

Kjo do të bëhet për ta kundërshtuar një ligj të ri që do t'u jepte organizatave të lajmeve fuqi më të madhe për të negociuar tarifat për përmbajtjen e shpërndarë në Facebook, raportoi BBC-ja të martën.

Një ligj i ngjashëm, i miratuar në Australi, bëri që lajmet në Facebook të pezulloheshin shkurtimisht vitin e kaluar.

Meta pretendon se platforma e tyre, në fakt, ofron rritje të trafikut për mediat në vështirësi. Kompania thotë se botuesit e vendosin përmbajtjen e tyre në Facebook sepse përfitojnë nga kjo.

Legjislacioni, i njohur si Akti i Konkurrencës dhe Ruajtjes së Gazetarisë (JCPA) u prezantua në Kongres nga Senatorja e Minesotës, Amy Klobuchar dhe ka mbështetje dypartiake.

Kjo do t'u jepte botuesve dhe transmetuesve fuqi më të mëdha për të negociuar kolektivisht me kompanitë e mediave sociale për një pjesë më të madhe të të ardhurave nga reklamat.

Kompanitë mediatike argumentojnë se Meta gjeneron shuma të mëdha parash nga artikujt e lajmeve të shpërndara në platformë.

Zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, ka thënë se nëse Kongresi miraton një projekt-ligj të pamenduar për gazetarinë si pjesë e legjislacionit të sigurisë kombëtare, kompania do të detyrohet të shqyrtojë heqjen e lajmeve nga platforma.