Tech

Pas largimit të 11 mijë punonjësve, Meta po riorganizon disa pjesë të kompanisë

Meta - Facebook - Zuckerberg

Kompania teknologjike Facebook u tha punonjësve këtë fundjavë se do të ndalojë zhvillimin e ekraneve inteligjente, shkroi Reuters të dielën.

Sipas kësaj kompanie, kjo ishte edhe arsyeja pse shkëputi gati rreth 11 mijë vende të punës këtë javë, pasi shumica prej tyre lidhen me rolet teknologjike të cilat tashmë nuk do të jenë në funksion.

Duke folur gjatë një takimi me bashkësinë e punonjësve, drejtuesit e Metas kanë thënë se po riorganizojnë disa pjesë të kompanisë, duke kombinuar një njësi të thirrjeve zanore dhe të videove, me ekipe të tjera të mesazheve të shkruara, duke krijuar kështu një divizion të ri “Family Foundations”, që fokusohet në probleme të vështira inxhinierike.

Drejtuesit kanë njoftuar se largimi i parë masiv i punonjësve në historinë 18-vjeçare të kompanisë së rrjeteve sociale, preku stafin në çdo nivel dhe në çdo ekip, duke përfshirë individë me vlerësime të larta të performancës.

“Në përgjithësi, 54 për qind e të pushuarve nga puna ishin në pozicione biznesi dhe pjesa tjetër ishin në role teknologjike”, tha shefja e burimeve njerëzore të Metas, Lori Goler. Ajo shtoi se ekipi i rekrutimit të Metas është përgjysmuar.

Më tej është bërë e ditur se nuk pritet valë tjetër largimesh nga vendet e punës.