Tech

Turqia gjobit kompaninë Meta me 18.6 milionë dollarë

Autoriteti turk i konkurrencës ka gjobitur të mërkurën kompaninë amë të Facebookut, Meta, me 18.63 milionë dollarë për shkelje të ligjit të konkurrencës, shkroi Reuters.

Sipas rregullatorit turk, kompania mbante një pozicion dominues në shërbimet personale të rrjeteve sociale dhe reklamat e videove në internet, si dhe ka penguar konkurrentët duke bashkuar të dhënat e mbledhura përmes shërbimeve të saj kryesore, si Facebook, Instagram dhe Whatsapp.

Gjatë vitit 2021, autoriteti i konkurrencës nisi një hetim mbi WhatsAppin e më pas edhe për Facebookun, pasi aplikacioni i mesazheve përditësoi kushtet e tij të shërbimit, duke thënë se po rezervonte të drejtën për të mbledhur të dhëna të përdoruesve, si numrat e telefonit dhe vendndodhjet.

Një zëdhënës i Metas tha se kompania nuk pajtohet me gjetjet e hetimit dhe do të shqyrtojë të gjitha opsionet.

Autoriteti i konkurrencës i Turqisë tha se Meta duhet të veprojë për të rivendosur konkurrencën në këto tregje dhe të përgatisë raporte vjetore rreth hapave që do të marrë për pesë vjetët e ardhshëm.