Tech

Kanye West do ta blejë platformën ku “garantohet fjala e lirë” - Parler

Reperi Ye, i njohur më parë si Kanye West, ka rënë dakord ta blejë platformën e vetëquajtur "të paanulueshme" të mediave sociale Parler, ka njoftuar kompania.

Javën e kaluar, llogaritë e yllit në Twitter dhe Instagram u bllokuan, pasi ai postoi mesazhe antisemite, raportoi BBC-ja.

Parleri përdoret kryesisht nga konservatorët amerikanë dhe e përshkruan veten si një alternativë të "fjalës së lirë" ndaj platformave kryesore.

“Ye nuk do të ketë më kurrë frikë se do të largohet nga mediat sociale", shkroi shefi ekzekutiv, George Farmer.

Njoftimi, në PR Newswire zbulon pak për kushtet e marrëveshjes.

“Sipas kushteve të marrëveshjes së tyre në parim, palët synojnë të lidhin një marrëveshje blerjeje përfundimtare dhe presin ta mbyllin atë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, marrëveshja do të përfshijë mbështetje teknike të vazhdueshme nga kompania.

Parler ka luftuar të mbetet i rëndësishëm muajt e fundit, pas mori hov dhe u rrit pas zgjedhjeve në SHBA në vitin 2020.

Sipas Sensor Tower, aplikacioni u shkarkua 90,000 herë muajin e kaluar në botë, krahasuar me 9 milionë shkarkime për Twitter.