Tech

Facebooku shkeli të drejtat e përdoruesve palestinezë

Sipas raportit, “Meta” ka bërë gabime të rënda edhe në zbatim. Për shembull, ndërkohë që lufta në Gaza shpërtheu muajin e kaluar, Instagrami e ka ndaluar shkurtimisht hashtagun #AlAqsa, një referencë për xhaminë “Al-Aksa” në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, pikë që ka ndezur konflikt.

Veprimet e Facebookut dhe të kompanisë së tij më të madhe “Meta” gjatë luftës së vitit të kaluar në Gaza kanë shkelur të drejtat e përdoruesve palestinezë për lirinë ë shprehjes, lirinë e tubimit, pjesëmarrjen politike dhe mosdiskriminimin, ka zbuluar një raport i porositur nga kompania e mediave sociale.

Raporti nga firma e pavarur e konsulencës “Business for Social Resposibility”, i ka konfirmuar kritikat e gjata për politikat e Metës dhe zbatimin e tyre të pabarabartë në lidhje me konfliktin izraelito – palestinez. Ai ka zbuluar se kompania kishte mbizbatuar rregullat kur bëhej fjalë për përmbajtjen arabe dhe nën-përmbajtje të detyrueshme në hebraisht.

Megjithatë, raporti nga kjo firmë nuk ka gjetur paragjykime të qëllimshme te “Meta”, as nga kompania në tërësi, as nga punonjësit individualë. Autorët e raportit kanë treguar se nuk gjetën asnjë “ dëshmi të armiqësisë racore, etnike, kombësie apo fetare në ekipet qeverisëse” dhe vunë në dukje se Meta ka “punonjës që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme, kombësi, raca, etni dhe fe të ndryshme që lidhen me këtë konflikt”.

Përkundrazi, ai ka gjetur raste të shumta të njëanshmërisë së paqëllimshme që i kanë dëmtuar të drejtat e përdoruesve palestinezë dhe arabishtfolës.

Si përgjigje, “Meta” ka thënë se po planifikon të zbatojë disa nga rekomandimet e raportit, duke përfshirë përmirësimin e “klasifikuesve” të tij në gjuhën hebraike, të cilët ndihmojnë në heqjen automatikisht të postimeve shkelëse duke përdorur inteligjencën artificiale.

“Nuk ka rregullime të shpejta, brenda natës për shumë prej këtyre rekomandimeve, siç e bën të qartë BSR”, ka thënë kompania me qendër në Menlo Park, Kaliforni, në një postim në blog. “Teksa kemi bërë ndryshime të rëndësishme si rezultat i këtij ushtrimi tashmë, ky proces do të marrë kohë – duke përfshirë kohë për të kuptuar se si disa nga këto rekomandime mund të adresohen më së miri dhe nëse ato janë teknikisht të realizueshme”.

Image

Gabimet e kompanisë

Sipas raportit, “Meta” ka bërë gabime të rënda edhe në zbatim. Për shembull, ndërkohë që lufta në Gaza shpërtheu muajin e kaluar, Instagrami e ka ndaluar shkurtimisht hashtagun #AlAqsa, një referencë për xhaminë “Al-Aksa” në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, pikë që ka ndezur konflikt.

Kompania “Meta”, e cila zotëron edhe Instagramin, më vonë ka kërkuar falje, duke shpjeguar se algoritmet e tij kishin ngatërruar faqen e tretë më të shenjtë në islam me grupin militant, Brigada e Martirëve Al-Aksa, degë e armatosur e partisë laike Fatah.

Raporti u bëri jehonë çështjeve të ngritura në dokumentet e brendshme nga denoncuesja e Facebookut, Frances Haugen, vjeshtën e kaluar, duke treguar se problemet e kompanisë janë sistematike dhe janë probleme të njohura prej kohësh brenda “Metës”.

Dështim kryesor është mungesa e moderatorëve në gjuhë të tjera përveç anglishtes, përfshirë arabishten – ndër gjuhët më të zakonshme në platformat e “Metës”.

Për përdoruesit në Gaza, Siri dhe rajone të tjera të Lindjes së Mesme, të dëmtuara nga konflikti, çështjet e ngritura në raport nuk janë asgjë e re.

Agjencitë izraelite të sigurisë dhe rojat, për shembull, kanë monitoruar Facebookun dhe e kanë bombarduar atë me mijëra urdhra për t’i hequr llogaritë dhe postimet palestineze ndërkohë që ata përpiqen t’i shtypin nxitjet.

“Ata po e vërshojnë sistemin tonë, duke e mposhtur plotësisht atë”, ka thënë për Associated Press vitin e kaluar Ashraf Zeitoon, ish-kreu i politikës së Facebookut për rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, i cili u largua në vitin 2017. “Kjo e detyron sistemin të bëjë gabime në favor të Izraelit”.

Izraeli ka përjetuar një vrull të fortë dhune në maj të vitit 2021 – me javë të tëra tensionesh në Jerusalemin lindor që u përshkallëzuan në një luftë 11-ditore me militantët e “Hamasit” në Rripin e Gazës. Dhuna u përhap në vetë Izraelin, me vendin që po përjeton dhunën më të keqe komunale midis qytetarëve hebrenj dhe arabë në vite.

Në një intervistë këtë javë, shefi i policisë kombëtare të Izraelit, Kobi Shabtai, i ka thënë të përditshmes “Yediot Ahronot” se ai besonte që mediat sociale kishin nxitur luftimet komunale. Ai bëri thirrje për mbylljen e mediave sociale nëse dhuna e ngjashme ndodh përsëri dhe tha se kishte sugjeruar bllokimin e mediave sociale për t’i shuar flakët vitin e kaluar.

“Po flas për mbylljen e plotë të rrjeteve, qetësimin e situatës në terren dhe kur jemi të qetë ta bëjmë riaktivizimin e tyre”, citohet të ketë thënë ai. “Jemi një vend demokratik, por gjithçka ka një kufi”.

Komentet kanë bërë bujë dhe policia ka lëshuar ​​një sqarim duke thënë se propozimi i tij ishte menduar vetëm për raste ekstreme. Omer Barlev, ministër i kabinetit që mbikëqyr policinë, ka theksuar gjithashtu se Shabtai nuk ka autoritet për të vendosur një ndalim të tillë.

Përktheu: Blerta Haxhiu