Tech

Huaweit të Kinës i përgjysmohet fitimi për shkak të rënies së kërkesave të klientëve

Kompania kineze e pajisjeve të telekomunikacionit, Huawei, ka njoftuar të premten se fitimi i saj neto në gjysmën e parë të këtij viti është përgjysmuar me mbi 52 për qind, pasi vështirësitë ekonomike bënë që të kufizohen kërkesat nga klientët, shkroi Reuters.

Kjo ka bërë që të ketë komplikime për shkak të kufizimeve të teknologjisë amerikane.

Të ardhurat kanë rënë 5.9 për qind nga viti në vit gjatë periudhës në 44.73 miliardë dollarë, me një rënie më të madhe gjatë periudhës janar-mars.

"Derisa biznesi i pajisjeve u ndikua shumë, biznesi i infrastrukturës së TIK-ut pati një rritje të qëndrueshme”, tha Ken Hu nga Huawei, duke iu referuar njësisë së saj nga biznesi në ndërmarrje.

Marzhi i fitimit të firmës kineze të teknologjisë u ngushtua në 5 për qind, me një fitim neto prej 15.08 miliardë juanë, nga 31.39 miliardë juanë në gjysmën e parë të 2021.

“Një ekonomi e dobët, ndërprerjet e COVID-19 dhe sfidat e zinxhirit të furnizimit dëmtojnë biznesin e pajisjeve të kompanisë që shet smartfonë dhe laptopë”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Huawei gjithashtu rriti investimet në teknologji dhe biznese të reja, gjë që ndikoi në fitim.

“Shitjet e tremujorit të dytë në industrinë më të gjerë kineze të telefonave inteligjentë ranë 14.2 për qind nga viti në vit, ndërsa vëllimet arritën në nivelin e ulët të një dekade”, tha Counterpoint Research muajin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara vendosën Huawein në një listë të zezë eksporti në vitin 2019 që e ndaloi atë nga qasja në teknologji me origjinë amerikane, duke dëmtuar aftësinë e tij për të dizajnuar çipa.