Tech

Musk: Marrëveshja me Twitter-in vazhdon nëse ofrohen informacionet që kërkova

Elon Musk ka thënë të shtunën se blerja e planifikuar prej 44 miliardë dollarësh e Twitter-it mund të ecë përpara nëse kompania mund të konfirmojë disa detaje se si e mat nëse llogaritë e përdoruesve janë 'bots spam' ose njerëz të vërtetë.

Miliarderi dhe themeluesi i Tesla-s është përpjekur të tërhiqet nga marrëveshja e tij e prillit për të blerë kompaninë e mediave sociale, duke bërë që Twitter-i ta padisë atë muajin e kaluar.

Musku iu kundërpërgjigj padisë, duke akuzuar Twitter-in se ka mashtruar ekipin e tij në lidhje me madhësinë e vërtetë të bazës së tij të përdoruesve, dhe probleme të tjera që ai tha se përbënin mashtrim dhe shkelje të kontratës.

Të dyja palët do të paraqiten në një seancë gjyqësore në Delaware, në muajin tetor.

“Nëse Twitter thjesht ofron metodën e tij për marrjen e mostrave të 100 llogarive dhe se si ato konfirmohen se janë reale, marrëveshja duhet të vazhdojë sipas kushteve origjinale”, shkroi Musk në Twitter herët të shtunën.

"Sidoqoftë, nëse rezulton se dosjet e tyre të SEC-it janë të rreme, atëherë marrëveshja nuk vazhdon”, ka shtuar ai.