Tech

Musk ngre një kundërpadi ndaj Twitterit për marrëveshjen prej 44 miliardë dollarësh

Avokatët e njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, depozituan një ankesë prej 164 faqesh kundër Twitterit, por përmbajtja e saj nuk dihet për momentin. Nga ana tjetër, disa aksionarë individualë të Twitterit kanë nisur padi të posaçme kundër Muskut me qëllim që ta detyrojnë atë të finalizojë transaksionin dhe ta blejë këtë rrjet social, shkruan Bloomberg.

Musk ka paraqitur një kundërpadi ndaj Twitterit, duke rritur betejën e tij ligjore kundër kompanisë në një përpjekje për t’u tërhequr nga një marrëveshje blerjeje prej 44 miliardë dollarësh.

Padia e Muskut u ngre të premten, disa orë pasi një gjykatë në Delaware urdhëroi një gjyq pesë-ditor duke filluar nga 17 tetori për të përcaktuar nëse Musk mund të largohet nga kontrata.

Ankesa prej 164 faqesh e miliarderit nuk është ende i disponueshëm publikisht, por sipas rregullave të gjykatës, një version i redaktuar së shpejti mund të publikohet.

Gjithashtu të premten, Musk u padit nga një aksioner në Twitter, i cili i kërkoi gjykatës të urdhëronte miliarderin të respektonte kontratën, të zbulonte se ai kishte shkelur detyrën e besnikërisë ndaj aksionarëve të Twitterit dhe të jepte dëmshpërblim për humbjet që pësuan aksionarët. Procedura u iniciua nga Luigi Crispo, i cili zotëron 5,500 aksione të Twitterit.

Musk njoftoi më 8 korrik se po heq dorë nga blerja e Twitterit, duke përmendur mungesën e transparencës si arsyen kryesore për dyshimet e tij se rrjeti social ka një numër shumë më të madh të profileve false.