Tech

Musku bisedon me punonjësit e Twitterit, u flet për pushime nga puna

Multimiliarderi Elon Musk, në një takim me punonjësit e Twitterit ka lënë të nënkuptohet për shkurtime të mundshme të vendeve të punës nëse oferta e tij për blerjen e kompanisë prej 44 miliardë dollarësh realizohet.

Ai gjithashtu trajtoi tema si puna në distancë, liria e fjalës dhe jeta e mundshme jashtëtokësore, raportoi BBC të premten.

Musku ka biseduar me stafin për herë të parë që nga fillimi i ofertës së tij për firmën në prill.

Ai ka thënë se mund të largohet nga marrëveshja nëse nuk i jepen të dhëna për llogari të rreme.

Në një video-telefonatë të gjerë me punonjësit e Twitterit të enjten, Musku tha se pushimet nga puna në Twitter do të vareshin nga situata financiare e kompanisë.

"Kompania duhet të jetë e shëndetshme. Tani për tani kostot tejkalojnë të ardhurat. Megjithatë kushdo që është një kontribues i rëndësishëm nuk duhet të ketë asgjë për t'u shqetësuar", u ka thënë ai punonjësve.

Ai gjithashtu deklaroi preferencën e tij për të punuar nga zyra, me përjashtim të ndonjë rasti.

Musku, i cili është shefi i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla dhe kompanisë së raketave SpaceX, diskutoi gjithashtu mundësinë e jetës përtej tokës, megjithëse ai tha se nuk kishte parë "prova aktuale për alienët".

Ndërkohë, një grup punonjësish në SpaceX - ku Musk është shef ekzekutiv, e quajtën Muskun një "burim të shpeshtë shpërqendrimi dhe sikleti" në një letër të brendshme drejtuar drejtuesve të kompanisë të enjten.

Ai u padit gjithashtu për 258 miliardë dollarë më vonë gjatë ditës nga një investitor në kriptomonedhën Dogecoin, i cili e akuzoi atë për drejtimin e një skeme piramidale për të rritur çmimin e saj.

Ankesa e paraqitur në New York pretendon se Musku "përdori piedestalin e tij si njeriu më i pasur në botë për të operuar dhe manipuluar skemën piramidale Dogecoin për përfitime, ekspozim dhe argëtim".