Meta, kompania mëmë e Facebookut, ka mohuar se dorasi në shkollën fillore në Teksas, ka postuar tekste në këtë platformë para krimit, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Gjatë së mërkurës, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka thënë se i dyshuari ka postuar tri herë në Facebook para sulmit në shkollë, duke treguar veprimet që do t’i ndërmerrte.
Abbott tha se vrasësi shkroi për planifikimin që të qëllonte gjyshen e tij, pastaj sipas tij, postoi duke treguar se e ka vrarë gjyshen dhe në fund, postoi njoftimin se do të sulmojë një shkollë fillore, rreth 15 minuta para se sulmi të ndodhte.
Meta ka thënë se mesazhet e të dyshuarit kanë qenë private dhe u zbuluan vetëm pasi ndodhi sulmi.
“Ato që Abbott i përshkroi ishin mesazhe private tekstuale, që u zbuluan pasi ndodhi tragjedia e tmerrshme”, ka thënë Meta.
Kompania teknologjike ka shtuar se po bashkëpunon ngushtë me hetuesit.