Tech

Hakerët po kërcënojnë rrëzimin e qeverisë së Kosta Rikës me ransomware

Javën e kaluar, Kosta Rika deklaroi një gjendje emergjence kombëtare pas një sulmi me ransomware ndaj qeverisë. Ransomware Conti shtoi kërcënimet këtë javë duke thënë se qëllimi është rrëzimi i qeverisë, raportoi AP-ja.

“Kemi të infiltruarit brenda qeverisë suaj”, ka thënë grupi i hakerëve. “Gjithashtu po punojmë për të fituar akses mbi sistemet e tjera dhe nuk keni rrugëzgjidhje tjetër vetëm se të na paguani”.

Grupi, i cili kërkoi 20 milionë dollarë, po përfiton edhe nga situata ku presidenti i Kosta Rikës ka vetëm një javë në drejtim.

Rodrigo Chaves ka thënë se janë në luftë dhe “nuk është ekzagjerim”, duke shtuar se zyrtarë të lartë po punojnë për të bllokuar grupin terrorist brenda vendit.

27 institucione, bashki e kompani shtetërore të energjisë dhe ujit janë prekur nga sulmi. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se do të ofronte 10 milionë dollarë shpërblim për këdo që jep informacion lidhur me Conti, duke thënë se sulmi ka prekur tregtinë e jashtme përfshirë doganat dhe platformën e taksave.

Raportohet se Ministria e Financës, Punës dhe Sigurisë Sociale është ndër më të goditurat.