Tech

Organi global i rregullimit të kriptove pritet të formohet vitin e ardhshëm

Rregullatorët e tregut global pritet të lansojnë një organ të përbashkët brenda vitit të ardhshëm për të koordinuar më mirë rregullat e kriptomonedhave, ka thënë zyrtari i lartë mbikëqyrës, Ashley Alder, njoftoi të enjten Reuters.

Alder, i cili është kryetar i Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), ka thënë se autoritetet deri tani kanë qenë të fokusuara te bitcoini si monedhë digjitale, por se tani duhet të adresohet çdo rrezik që vjen nga kriptovalutat.

"Rreziqet që duhet të adresojmë janë të shumëfishta dhe është shprehur shqetësim i madh për kriptot gjatë bisedave në nivel institucional”, ka thënë Alder gjatë një konference online të organizuar më 12 maj.

Ai përmendi sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë operacionale dhe mungesën e transparencës në botën e kriptove si rreziqet kryesore në të cilat rregullatorët kanë mbetur prapa.

Alder shtoi se një grup global që përpiqet të harmonizojë rregullat e kriptos është më se i nevojshëm.