Tech

Apple humb pozitën si kompania më e vlefshme në botë

Gjiganti teknologjik, Apple, ka humbur pozitën e kompanisë më të vlefshme në botë, pas rënies së aksioneve.

Përpunuesi arab i naftës “Aramco” ka marrë pozitën e parë duke rrëzuar prodhuesin e iPhonet nga vendi lider për herën e parë në dy vjetët e fundit.

Investitorët kanë shitur aksionet në kompanitë teknologjike për të kaluar në asete që i shohin më pak të rrezikshme.

Bitcoini dhe kriptovalutat tjera po ashtu kanë përjetuar rënie masive.

Aksionet në Apple ranë për më shumë se 5 për qind në New York të mërkurën. Vlera e kompanisë arriti në 2.37 trilionë dollarë.

“Aramco” është vlerësuar me 2.42 trilionë dollarë.

Është hera e parë që “Aramco” ka dalë në pozitën e parë që nga viti 2020. Aksionet në përpunuesin e naftës dhe gazit janë rritur për shkak të shtrenjtimit të naftës dhe gazit, si pasojë e nisjes së luftës në Ukrainë.

Që nga fillimi i vitit, aksionet e Appleit kanë përjetuar rënie prej gati 20 për qind.