Tech

Google do t’i bëjë aplikacionet e Androidit më private

Plani i Google për të kufizuar gjurmimin e të dhënave në shfletuesin e tij Chrome, është zgjeruar për të mbuluar aplikacionet në telefonat inteligjentë të bazuar në Android.

Projekti i Google i ashtuquajtur Privacy Sandbox, synon ta frenojë sasinë e të dhënave të përdoruesit që reklamuesit mund të mbledhin.

Rivali Apple tanimë detyron zhvilluesit e aplikacioneve të kërkojnë leje nga përdoruesit përpara se t'i gjurmojnë.

Lajmi do të jetë një goditje për firmat si Meta, të cilat mbështeten në vendosjen e kodit të tyre në aplikacione për të gjurmuar sjelljen e konsumatorëve.

Meta tha këtë muaj se ndryshimet e Apple do t'i kushtonin 10 miliardë dollarë këtë vit. Ndërkohë, sistemi operativ Android i Google përdoret nga rreth 85% e pronarëve të smartfonëve në mbarë botën.

Apple vendosi në prill të vitit të kaluar që zhvilluesit e aplikacioneve duhej të kërkonin në mënyrë eksplicite leje nga përdoruesit për të përdorur IDFA (Identifikuesi për reklamuesit). Të dhënat nga kompania e reklamave Flurry Analytics, dhe të publikuara nga Apple, sugjerojnë që përdoruesit amerikanë po zgjedhin të heqin dorë nga gjurmimi në 96% të rasteve.

Blogu i Google nuk përmendi emrin Apple, por në vend të kësaj iu referua "platformave të tjera" për të cilat tha se "kanë marrë një qasje të ndryshme ndaj privatësisë së reklamave, duke kufizuar troç teknologjitë ekzistuese të përdorura nga zhvilluesit dhe reklamuesit".

Google, ndryshe nga Apple, mbështetet në të ardhurat nga reklamat.