Tech

Twitteri ua mundëson përdoruesve t’i raportojnë përmbajtjet mashtruese

Twitteri ka bërë të ditur se do të zgjerojë funksionin e tij të testimit, i cili lejon përdoruesit të raportojnë përmbajtjen mashtruese në platformën e tij, në Brazil, Spanjë dhe Filipine.

Kompania kishte prezantuar testin pilot të funksionit në gusht të vitit të kaluar, si pjesë e përpjekjes së saj për të reduktuar dezinformatat në platformën e saj.

Test-piloti u testua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Korenë e Jugut.

Që kur u njoftua për herë të parë, Twitteri ka bërë të ditur se ka marrë rreth 3 milionë raporte nga përdorues që e kanë përdorur atë për të shënuar postime në Twitter, të cilat ata besojnë se janë në kundërshtim me politikat e tij.

Gjiganti i mediave sociale vitin e kaluar nisi një program tjetër të quajtur “Birdwatch”, i cili u lejon pjesëmarrësve të shkruajnë shënime dhe të ofrojnë kontekst shtesë për cicërimat mashtruese, megjithëse ato shënime mbahen në një faqe interneti të veçantë.