Inteligjenca Artificiale (AI) mund të parashikojë me saktësi deri në 92% nëse një person do të zhvillojë demencë brenda dy viteve, dhe gjithashtu mund të zvogëlojë numrin e njerëzve të diagnostikuar gabimisht, thotë një studim i ri.
Teknika e AI, e quajtur mësimi i makinerive, funksionon duke dalluar modelet e fshehura në të dhëna, dhe duke mësuar se kush është më i rrezikuar.
Demenca është një sindromë (një grup simptomash të lidhura) që shoqërohet me një rënie të vazhdueshme të funksionimit të trurit.
Simptomat mund të përfshijnë probleme me humbjen e kujtesës, shpejtësinë e të menduarit, mprehtësinë dhe shpejtësinë mendore, gjuhën, të tilla si përdorimi i gabuar i fjalëve, ose vështirësi në të folur, të kuptuar, gjykim, humor, lëvizje dhe vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
Studiuesit nga Universiteti i Exeter shikuan të dhënat për një periudhë 10-vjeçare nga 15,300 pacientë që morën pjesë në një rrjet prej 30 klinikash të kujtesës në SHBA, transmeton Koha.net. Të pranishmit nuk kishin demencë në fillim të studimit, megjithëse shumë prej tyre kishin probleme me kujtesën ose funksione të tjera të trurit.
Midis viteve 2005 dhe 2015, 1 në 10 pjesëmarrës mori një diagnozë të re të demencës, brenda dy viteve nga vizita e tyre.
Algoritmi i mësimit të makinerive parashikoi raste të reja të demencës me saktësi deri në 92%, dukshëm më të saktë se dy metoda ekzistuese alternative kërkimore, zbuloi ekipi i hulumtimit.
Diagnozat e gabuara të demencës
Studiuesit zbuluan gjithashtu për herë të parë se rreth 8% e diagnozave të demencës dukej se ishin bërë gabim, pasi diagnoza u ndërrua më vonë.
Modelet e mësimit të makinerive identifikuan me saktësi më shumë se 80% të këtyre diagnozave jokonsistente, sipas studimit, të publikuar në JAMA Network Open.
AI jo vetëm që mund të parashikojë me saktësi se kush do të diagnostikohet me demencë, por ka potencialin për të përmirësuar saktësinë e diagnozave, sugjeron hulumtimi.
Ka mbi 55 milionë njerëz në mbarë botën që jetojnë me demencë në vitin 2020, sipas Alzheimer's Disease International. Dhe organizata beson se ky numër pothuajse do të dyfishohet çdo 20 vjet, duke arritur në 78 milionë në 2030, dhe 139 milionë në 2050.
Mësimi i makinerisë përdor informacionin e pacientit të disponueshëm në mënyrë rutinore në klinika, të tilla si kujtesa dhe funksioni i trurit, performanca në testet njohëse, dhe faktorë të veçantë të stilit të jetesës.
"Tani jemi në gjendje t'i mësojmë kompjuterët të parashikojnë me saktësi se kush do të vazhdojë të zhvillojë demencë brenda dy viteve. Ne jemi gjithashtu të ngazëllyer kur mësojmë se qasja jonë e të mësuarit me makinë ishte në gjendje të identifikonte pacientët që mund të ishin diagnostikuar gabimisht. Kjo ka potencialin të reduktojë supozimet në praktikën klinike, dhe të përmirësojë ndjeshëm rrugën diagnostikuese, duke i ndihmuar familjet të aksesojnë mbështetjen që u nevojitet sa më shpejt dhe sa më saktë që të jetë e mundur”, ka thënë profesori David Lleëellyn, një bashkëpunëtor i Alan Turing me bazë në Universitetin e Exeter.
E ardhmja e diagnostikimit të demencës
Studiuesit shpresojnë të vazhdojnë kërkimet e tyre për të kuptuar përdorimin praktik të teknologjisë së AI brenda klinikave.
"Inteligjenca artificiale ka potencial të madh për përmirësimin e zbulimit të hershëm të sëmundjeve," ka thënë doktor Rosa Sancho, kreu i kërkimit në Alzheimer's Research në Mbretëri të Bashkuar.