Tech

Me gjithë skandalin e dokumenteve, Facebooku fiton 9 miliardë dollarë

Rrjeti social ka arkëtuar 9 miliardë dollarë gjatë tre muajve deri në shtator, shifër kjo shumë më e lartë sesa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, kur kishte fituar 7.8 miliardë dollarë

Gjiganti social Facebook ka gjeneruar përfitime më të mira sesa që pritej për tremujorin e tretë të vitit 2021, megjithëse vazhdon që të përballet me shtypin lidhur me dokumentet e brendshme të zbuluara.

Rrjeti social ka arkëtuar 9 miliardë dollarë gjatë tre muajve deri në shtator, shifër kjo shumë më e lartë sesa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, kur kishte fituar 7.8 miliardë dollarë, ka raportuar agjencia britanike e lajmeve BBC. Megjithëkëtë, Facebooku është goditur nga një përditësim i ri i privatësisë në sistemin operues të kompanisë “Apple”, iOS 14, që ua ka vështirësuar markave që t’i gjejnë reklamat te përdoruesit e caktuar. Një gjë e tillë është shpërfaqur nga mesi i deklaratave për sjellje joetike nga grupi të adresuara prej një ish-punonjëseje.

Frances Haugen ka publikuar një mori dokumentesh të brendshme, duke pretenduar se Facebooku i ka vënë përfitimet para sigurisë së përdoruesve. Sipas raportimeve të mediave, dokumentet tregojnë se Facebooku vazhdimisht ka dështuar që ta kontrollojë përmbajtjen e asaj që promovon gjuhën e urrejtjes dhe trafikimin seksual jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të hënën, shefi ekzekutiv Mark Zuckerburg u është drejtuar investitorëve në një konferencë. “Kjo çfarë po shohim është përpjekje e koordinuar për t’i përdorur vetëm disa dokumente sekrete për ta paraqitur një pamje të rreme të kompanisë sonë”, ka thënë ai, raporton BBC.

Brenda 12 muajsh, deri më 30 shtator, gjiganti i mediave sociale ka raportuar se baza mujore e përdoruesve është rritur 6 për qind. Por, pavarësisht fitimeve të mëdha, të ardhurat i kanë tronditur pritjet e analistëve, në mesin e “erërave të kundërta” që janë shkaktuar nga rregullat e privatësisë nga “Apple”.

Facebooku ka bërë të ditur se përditësimi i privatësisë do të kishte ndikim edhe në biznesin e tij digjital në çerekun e fundit të vitit, por kjo pritet të përshtatet me ndryshimet me kohë. Kompania insiston se do të shpenzojë 10 miliardë dollarë në jetësimin e metaversit të saj këtë vit – e njohur si Facebook Reality Labs – që ka për detyrë krijimin e harduerëve, softuerëve dhe përmbajtjeve të tjera shtesë, si dhe të një realiteti virtual.

BBC-ja kujton se rrjeti më i madh i mediave sociale në botë është nën vëzhgimin e ligjvënësve dhe rregullatorëve globalë, duke përfshirë edhe Komisionin Federal të Tregtisë, i cili ka ngritur një padi mosbesimi duke pretenduar praktika antikonkurruese.

Dokumentet e ish-ekspertes së Facebookut, të cilat u publikuan për herë të parë nga “Wall Street Journal”, vetëm sa e kanë intensifikuar presionin. Ato përfshijnë hulumtime të brendshme rreth efekteve të Instagramit në shëndetin mendor të adoleshentëve; nëse platformat e Facebookut nxisin divizionin dhe mënyra të trajtimit të trazirave të 6 janarit në Capitol nga gjiganti i mediave sociale.

Në një seancë dëgjimore të hënën, Haugen u ka thënë deputetëve në Mbretërinë e Bashkuar se Facebooku “pa diskutim po e përkeqëson urrejtjen”. Ajo ka shtuar se ekipet e sigurisë në Facebook nuk kishin burime të pamjaftueshme dhe se “Facebooku nuk ka qenë i gatshëm të bëjë sakrifica të vogla të fitimit për sigurinë”.

Deputetët britanikë janë duke shqyrtuar se çfarë rregullash të reja do të vendosin në rrjetet e mëdha sociale sipas projektligjit të planifikuar për sigurinë në internet. Pavarësisht akuzave, aksionet në Facebook u rritën me 1.3 për qind të hënën.