Tech

Një grua kundër një gjiganti me 3 miliardë përdorues: Frances Haugen sfidon Facebookun

 

Frances Haugen ka qenë njëra nga punëtoret e Facebookut për luftimin e gjuhës urrejtëse. Tani ajo është sinjalizuese dhe alarmon opinionin botëror se si Facebooku ende po bën tepër pak për të pastruar bërllokun verbal, urrejtjen e gënjeshtrat, të cilat po rrezikojnë paqen në botë. Në disa vende si në Sri Lankë, Meksikë apo Etiopi urrejtja në mediat sociale ka nxitur përndjekjen, në Birmani ka çuar në gjenocid. Madje bandat meksikane të drogës angazhojnë vrasës përmes Facebookut.

Frances Haugen është 37-vjeçare. Ajo ka punuar dy vjet për Facebookun në selinë e firmës në Menlo Park në bregun perëndimor të San Francisco Bay. Në maj të këtij viti Haugen braktisi punën në Facebook për shkak se nuk pajtohej me indiferencën e punëdhënësit ndaj problemit të përhapjes së gjuhës urrejtëse në platformë. Facebook ka rreth tre miliardë shfrytëzues. Haugen ka marrë me vete dokumente e dëshmi kundër Facebookut. Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruan në një tekst të gjatë se kush i lexon dokumentet dhe aktet e Frances Haugen arrin në përfundimin se Facebooku është duke e shkatërruar shoqërinë dhe demokracinë.

Facebook dhe dy ndërmarrjet e saj WhatsApp dhe Instagram akuzohen për shkaktim të varësisë digjitale, për deformime personaliteti, për erozionin e diskursit politik, për krijimin e kushteve për gufimin e urrejtjes dhe rrenave, për kapitalizmin përgjues, i cili i copëton njerëzit në të dhëna vetëm e vetëm për t’iu shitur atyre rraqe., nënvizon “Süddeutsche Zeitung”. Por kjo nuk është e tëra: në disa vende si në Sri Lankë, Meksikë apo Etiopi urrejtja në mediat sociale ka nxitur përndjekjen, në Birmani ka çuar në gjenocid.