Tech

“Copernicus”: Vrima e ozonit mbi Polin Jugor tani më e madhe se Antarktida

“Sivjet, vrima e ozonit është zhvilluar siç pritej në fillim të stinës”, ka thënë Vincent-Henri Peuch, drejtor i “Copernicusit”. “Tani parashikimet tona tregojnë se vrima e sivjetme ka evoluar në një masë dukshëm më të madhe sesa zakonisht”, ka shtuar ai për CNN-in

Vrima në ozon që formohet secilin vit mbi Polin Jugor tani është më e madhe sesa Antarktida, kanë bërë të ditur shkencëtarët nga Shërbimi i Bashkimit Evropian për Monitorimin e Atmosferës “Copernicus”.

Ozoni shteron dhe formon vrimë mbi Antarktidë gjatë pranverës në Hemisferën Jugore, që i bie prej muajit gusht deri në tetor. Rëndom madhësinë më të madhe e arrin ndërmjet messhtatorit dhe mestetorit, ka njoftuar “Copernicus”, raporton televizioni amerikan CNN.

“Sivjet, vrima e ozonit është zhvilluar siç pritej në fillim të stinës”, ka thënë Vincent-Henri Peuch, drejtor i “Copernicusit”. “Tani parashikimet tona tregojnë se vrima e sivjetme ka evoluar në një masë dukshëm më të madhe sesa zakonisht”, ka shtuar ai për CNN-in.

Image

Shtresa e ozonit, e cila shtrihet midis 14 deri në 35 kilometra mbi Tokë, e mbron Planetin nga radiacioni i rrezeve ultra vjollcë.

Vrima me Hemisferën Jugore rëndom shkaktohet nga kemikatet, si klorina dhe bromi që depërtojnë në stratosferë, duke krijuar reaksione katalitike gjatë dimrit në Antarktidë.

Vrima e ozonit është e ndërlidhur me vorbullën polare të Antarktidës, një rrip ky rrotullues i ajrit të ftohtë që lëviz përreth Tokës. Kur temperaturat lart në stratosferë nisin të ngrihen në fund të pranverës, shterimi i ozonit ngadalëson, vorbulla polare dobësohet dhe në fund shpërbëhet, ndërsa deri në dhjetor, nivelet e ozonit rëndom i kthehen normales.

Në këtë mënyrë përfundon izolimi i ajrit të krijuar nga vorbulla polare, e cila formohet gjatë dimrit në Antarktidë, duke ua mundësuar kemikateve depërtimin në shtresën e ozonit, kanë shpjeguar ekspertët e “Copernicusit” dhe NASA-s.

Nivelet e ozonit rëndom restaurohen në nivele normale deri në dhjetor, kanë shtuar ata për CNN-in.

“Copernicusi” e monitoron shtresën e ozonit nëpërmjet një kompjuteri modelues dhe vëzhgimeve satelitore, ndërsa derisa shtresa e ozonit shfaq shenja të rigjenerimit “Copernicusi” bën të ditur se ajo nuk do të rigjenerohet plotësisht deri në vitet 2060 apo 2070.

Kjo, sipas raportimit të CNN-it, ndodh për shkak se do t’i nevojitet kohë për t’i parë efektet e nivelizimit gradual të klorofluorokarboneve (CFCs), të cilat shterohen në shtresën e ozonit.

CNN-i ka raportuar se një studim i publikuar muajin e shkuar në revistën shkencore “Nature” ka treguar se bota do të vihet në shteg të ngritjes së temperaturave për edhe 2.5 gradë celsius shtesë në nivel global dhe me kolapsin e shtresës së ozonit po qe se CFCs-të nuk do të ndaloheshin me protokoll.

Niveli i këtyre kemikateve ishte rregulluar fillimisht me Protokollin e Montrealit, i nënshkruar më 1987. Mirëpo, pritet që të ndryshohen gradualisht deri më 2030, ka njoftuar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.