Tech

Astronautët kinezë hyjnë në stacionin e ri hapësinor për një mision tre muajsh

Ekuipazhi do të kryejë eksperimente, do të testojë pajisje, ta bëjë mirëmbajtjen dhe ta përgatisë stacionin për pritjen e dy moduleve laboratorike vitin e ardhshëm. Me këtë mision arrin në 14 numri i astronautëve që Kina ka dërguar në hapësirë që nga viti 2003, duke u bërë kësisoj vetëm shteti i tretë pas ish-Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e bën një gjë të tillë, krejtësisht vetëm

Tre astronautë kinezë kanë mbërritur të enjten në stacionin e ri hapësinor të Kinës, në fillim të një misioni tremujor, duke e shënuar kësisoj një tjetër moment historik për programin ambicioz hapësinor të vendit.

Sonda e tyre Shenzhou-12 është lidhur me modulin e stacionit hapësinor rreth gjashtë orë pasi që është ngritur nga qendra e lansimit Jiuquan, buzë shkretëtirës Gobi.

Rreth tre orë më vonë, komandanti Nie Haisheng (56), i pasuar nga Liu Boming (54) dhe rishtari hapësinor, Tang Hongbo (45), hapën çeljet dhe kaluan në modulin bazë të jetesës Tianhe-1. Fotografitë e para të tyre i shfaqnin astronautët tek punonin në hapjen e pajisjeve.

“Kjo paraqet herën e parë që kinezët hyjnë në stacionin e tyre hapësinor”, ka raportuar transmetuesi shtetëror kinez CCTV.

Ekuipazhi do të kryejë eksperimente, do të testojë pajisje, ta bëjë mirëmbajtjen dhe ta përgatisë stacionin për pritjen e dy moduleve laboratorike vitin e ardhshëm. Me këtë mision arrin në 14 numri i astronautëve që Kina ka dërguar në hapësirë që nga viti 2003, duke u bërë kësisoj vetëm shteti i tretë pas ish-Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e bën një gjë të tillë, krejtësisht vetëm.

Deri më tani gjithçka duket të ketë funksionuar në rregull. Liderët kinezë shpresojnë se misioni do të përmbyllet me sukses të plotë teksa Partia Komuniste në pushtet përgatitet që ta shënojë njëqindvjetorin e themelimit, gjatë muajit të ardhshëm.

Astronautët u përcollën nga zyrtarët më të lartë hapësinorë të vendit, personeli ushtarak dhe një turmë fëmijësh që bartnin lule dhe valonin flamuj, tek këndonin këngë patriotike para lansimit në orën 9:22 të mëngjesit, sipas kohës lokale. Raketa lëshuar pjesët e saja përforcuese rreth dy minuta pas fluturimit. Pas rreth 10 minutash, ajo u nda nga seksioni i sipërm i raketës, ka zgjatur panelet e saj diellore dhe pak më vonë ka hyrë në orbitë.

“Tani astronautët mund të pushojnë mirë në hapësirë, gjë që duhet t’i çlodhë ata paksa”, ka thënë zëvendësdisenjatori kryesor i misionit, Gao Xu.

Dy astronautë të misioneve të mëhershme të vendit ishin gra, dhe derisa ky ishte ekuipazhi i parë i stacionit i përbërë vetëm prej burrave, gratë pritet që të bëhen pjesë e ekuipazheve të ardhshme të stacionit.

Misioni është i treti nga 11 të tillëve sa janë planifikuar që të realizohen deri në vitin e ardhshëm për t’i shtuar seksionet shtesë në stacion dhe për të dërguar ekuipazhe dhe furnizime. Një ekuipazh i ri prej tre anëtarësh dhe një dërgesë me furnizime do të nisen brenda tre muajsh.

Kina nuk është pjesëmarrëse e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, kryesisht si pasojë e kundërshtimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkaku i fshehtësisë së programeve kineze dhe lidhjeve të afërta ushtarake.

Megjithëkëtë, Kina ka rritur që ta nisë bashkëpunimin me Rusinë dhe me një grup vendesh të tjera, teksa stacioni i saj mund të vazhdojë operimin përtej Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, i cili po i afrohet fundit të funksionit të tij.

Kina ka zbarkuar gjithashtu një sondë në Mars gjatë muajit të kaluar ndërsa më herët kishte ulur një tjetër të tillë në anën më pak të hulumtuar të hënës dhe ka sjellë në Tokë mostrat e para të sipërfaqes hënore të siguruara nga programi hapësinor i cilitdo vend tjetër, që nga vitet 70.

Kina dhe Rusia kanë shpalosur gjatë kësaj jave edhe një plan tjetër ambicioz për një Stacion të Përbashkët Ndërkombëtar për Kërkime në Hënë, i cili do të zgjasë deri në vitin 2036. Ky program do t’i bëjë konkurrencë dhe mbase edhe të bie ndesh me Marrëveshjet shumëkombëshe Artemis, një plan ky për bashkëpunimin hapësinor që mbështet planet e NASA-s për t’i kthyer njerëzit në Hënë deri më 2024 dhe për ta nisur një mision historik njerëzor në Mars.

Pasi që Tianhe-1 ishte lansuar në prill, raketa që e barti atë në hapësirë realizoi një rikthim të pakontrolluar në Tokë, megjithëse Kina ka hedhur poshtë kritikat për rrezikun e mundshëm të sigurisë. Rëndom, pjesët e hedhura të raketave rikthehen në atmosferë pak kohë pas lansimit, normalisht mbi ujë, dhe nuk shkojnë në orbitë.

Raketa e përdorur për lansimin e së enjtes është e një lloji tjetër dhe përbërësit që ajo i përmban për rikthim pritet që të digjen shumë kohë para se të mund të përbëjnë ndonjë rrezik, ka thënë Ji Qiming, ndihmës i drejtorit të Agjencisë Hapësinore të Kinës.

Përktheu: N. LL

Image