Kompania e anijeve kozmike e themeluar nga miliarderi Jeff Bezos, Blue Origin, ka njoftuar se një person i paidentifikuar ka fituar ankandin për të fluturuar në gjithësi përkrah themeluesit të kompanisë së njohur Amazon.
Blue Origin ka bërë të ditur se është pranuar oferta prej 28 milionë dollarësh, mirëpo nuk ka zbuluar identitetin e ofertuesit. Ofertat për shansin e udhëtimit të shkurtër në hapësirë filluan rreth një muaj më parë, ndërsa kompania zbuloi se janë regjistruar më shumë se 7 mijë e 500 njerëz nga më shumë se 150 vende.
Por lufta e ofertave arriti kulmin kur Bezos njoftoi të hënën se ai do të jetë në bord së bashku me vëllain e tij të vogël, Mark. Deri në fundjavë, kompania ka deklaruar se ofertat më të larta erdhën nga rreth 20 persona.
Kompania deklaroi se shuma fituese do t'i dhurohet klubit Blue Origin për të ardhmen, i cili promovon studime të teknologjisë dhe shkencës te të rinjtë. Kapsula hapësinore New Shepard do të lansohet nga Teksasi Perëndimor më 20 korrik, për një udhëtim inaugurues në hapësirë që mund të zgjasë vetëm disa minuta.
Data lidhet me përvjetorin kur amerikanët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin u bënë njerëzit e parë që ecën në hënë në vitin 1969. Blue Origin njoftoi se edhe një person pritet t’i bashkohet grupit për fluturim në gjithësi.