Tech

Lamtumirë “Internet Explorer”

Descriptive Text

Fundi i “Internet Explorerit” më në fund është afruar. Shfletuesi i internetit është një nga produktet më të urryera të gjigantit “Microsoft”, por edhe një nga të rrallat që i mbijetoi kohës.

Më herët gjatë javës, “Microsofti” njoftoi se do t’i japë fund përkrahjes për “Internet Explorerin” më 15 qershor, 2022. Vendimi erdhi pas shumë vjetësh pasiguri për të ardhmen e shfletuesit.

“Internet Exploreri” ka qenë në një trajektore të rënies për gati dy dekada. Shpërndarja e tij në rrjetin e shfletuesve të internetit ra nën 50 për qind në vitin 2010, dhe tani ka më pak se 5 për qind, sipas të dhënave nga “NetMarketShare”. Rivali “Google Chrome” është lider i pakontestueshëm me 69 për qind të shpërndarjes së tregut.

Në njoftimin lamtumirës, “Microsofti” ka thënë se “Internet Exploreri” është tejet i ngadalshëm, jo praktik dhe më pak i sigurt se shfletuesit modernë.

IE ka mbijetuar për rreth 26 vjet. “Microsofti” e ka shpërndarë atë me çdo sistem operativ. Madje shumica e kompjuterëve me Windows 10 e kanë, por shumica e përdoruesve as që e kanë vënë re se është i instaluar.

Është e paqartë nëse “Microsofti” do të ndalojë instalimin e IE-së në kompjuterë, sapo që të marrë fund përkrahja për të.

“Internet Explorer” debutoi më 1995 si pjesë e Windows 95. Ishte sensacion atë kohë. Më 2002 pati majën e suksesit. Ishte pjesë e 95 për qind të kompjuterëve në botë.

Megjithatë dështimi i erdhi pasi “Microsofti” dështoi të bënte inovacion duke e lënë versionin “Internet Explorer 6” “të mblidhte pluhur” për pesë vjet. Kjo u pengoi përdoruesve që nisën të harronin shfletuesin. IE7 erdhi më 2006, por dëmi tashmë ishte bërë. “Microsofti” vetëm nisi të pranonte të lëshonte rrugën për “Firefoxin” dhe “Chromen”.

U përpoq të ringjallej me versionin 9 më 2011, por sërish dështoi. Kompania e pranon se IE s’është ideale për shfletim të internetit, dhe qe një kohë e gjatë po përpiqet ta “mbysë” “Internet Explorerin”. Në vend të saj, kompania lansoi versionin Edge më 2015, por ai në fakt nuk e zëvendësoi IE-në. “Internet Explorer” vazhdon të vijë i parainstaluar nëpër kompjuterë përkrah “Edget”.