Tech

Hulumtimi i forcave të padukshme, mundësi për ndryshimin e konceptit mbi universin

“Është forca elektromagnetike, të cilën të gjithë e njohim. Forca e dobët, e cila është e lidhur me prishjen bërthamore dhe pastaj forca e fortë, ajo që në thelb mban protonet dhe neutronet brenda bërthamës dhe na bën ata që jemi”, ka thënë Renee Fatemi, profesoreshë e fizikës në Universitetin e Kentuckyt

Chicago, SHBA, 14 maj – Laboratori “Fermilab” me seli në Chicago, i cili operon në kuadër të Departamentit amerikan për Energji, është duke i hetuar forcat e padukshme që i përbëjnë blloqet themelore të të gjithë materies dhe jetës. Ky projekti mund ta ndryshojë gjithë konceptin e shkencëtarëve për fizikën e grimcave dhe vetë strukturën e universit.

Për dekada me radhë, i ashtuquajturi “standard model” në fizikë ka qenë standardi themelor që e përshkruan atë që shkencëtarët e dinë për blloqet themelore nënatomike të gjithçkaje të njohur për njeriun. Me kalimin e viteve, ata kanë identifikuar 17 grimca themelore dhe tri “forca”.

“Është forca elektromagnetike, të cilën të gjithë e njohim. Forca e dobët, e cila është e lidhur me prishjen bërthamore dhe pastaj forca e fortë, ajo që në thelb mban protonet dhe neutronet brenda bërthamës dhe na bën ata që jemi”, ka thënë Renee Fatemi, profesoreshë e fizikës në Universitetin e Kentuckyt.

Ajo është pjesë e një ekipi ndërkombëtar në laboratorin “Fermilab”. Në bashkëpunim me Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore (CERN), me seli në Zvicër, ekipi po përpiqet që t’i zbulojë sekretet nënatomike të Universit.

“Kjo forcë ekziston gjithmonë, çështja është se si ta shfrytëzojmë atë. Po përpiqemi që ta kuptojmë këtë forcë dhe grimcat e reja”, ka shtuar ajo.

Eksperimenti në “Fermilab” synon që ta studiojë të panjohurën. Me interes të veçantë është muoni, një nga 17 grimcat e ngjashme me një elektron. Një nënprodukt i rrezeve kozmike, muonët, vazhdimisht mbulojnë sipërfaqen e Tokës.

Në laboratorin “Fermilab” është përdorur një rrugë magnetike rrethore për të studiuar se si lëvizin muonët nëpër hapësirë. Të dhënat nga miliarda eksperimente po sfidojnë parimet themelore të modelit standard të njohur prej dekadash nga fizikanët.

“Kemi gjetur shenja të diçkaje krejtësisht të re që mund të ndryshojë gjithçka që mendonim se dinim. Është kjo një gjë jashtëzakonisht emocionuese”, ka thënë Marcela Carena, udhëheqëse e sektorit për fizikë teorike në laboratorin “Fermilab”.

Ajo pretendon se eksperimenti po zbulon fenomene që nuk mund të shpjegohen nga modeli që fizikantët kishin ndërtuar në vitet 1970 dhe që i plotësuan në vitin 2012.

Në mënyrë të veçantë, disa forca ose grimca të panjohura është vërejtur se po ndërveprojnë me muonët në mënyra që nuk parashikohen nga modeli standard. Por, çfarë saktësisht është kjo forcë?

Carena ka bërë të ditur se të dhënat e mbledhura në “Fermilab” mund të japin një përgjigje. Analiza sapo ka filluar, por qysh tani e nënkupton mundësinë për një zbulim të madh.

“Mund të ketë një ose më shumë grimca që kanë filluar t'i ‘flasin’ muonit. E dija që ky rezultat mund të ishte një moment i ndryshimit të madh për fizikanët e grimcave. Më në fund kemi një sinjal se ku të shkojmë më tej”, ka thënë ajo. “Sa i përket muonit dhe modelit standard, askush nuk fliste për këto më parë. Ndërsa tani njerëzit po flasin dhe kjo është jashtëzakonisht interesante”.

Ndërsa eksperimenti me grimcën “Muon” vazhdon në laboratorin “Fermilab”, Carena pretendon se faza tjetër e kërkimit mund të japë më shumë të dhëna, duke i përplasur grimcat me njëra-tjetrën.

Por, për realizimin e gjithë kësaj, mund të duhet një teknologji më e përparuar sesa ajo në laboratorin “Fermilab” apo në laboratorin e Organizatës Evropiane për Kërkime Bërthamore.