Tech

Krimi kibernetik: Biznes në lulëzim falë COVID-19

Zyra Federale e Policisë për Krime në Gjermani (BKA) ka regjistruar 108.474 krime kibernetike në raportin më të fundit vjetor. Kjo shifër është rritur për afro 8 për qind në krahasim me vitin e kaluar

(BBC) – Pandemia e koronavirusit ua ka dhënë një shtysë të fortë krimeve në internet. Numri i veprave penale është në rritje e sipër, përderisa numri i rasteve të zgjidhura me sukses ka ngecur në Gjermani.

Zyra Federale e Policisë për Krime në Gjermani (BKA) ka regjistruar 108.474 krime kibernetike në raportin më të fundit vjetor. Kjo shifër është rritur për afro 8 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Carsten Meywirth, udhëheqës i Departamentit për Krime Kibernetike në BKA, ka vlerësuar se një numër i madh i sulmeve kibernetike, madje, as që janë regjistruar.

Statusi i Gjermanisë si fuqi ekonomike dhe platformë inovacioni e ka shndërruar atë në cak tërheqës për sulmuesit nga e tërë bota. Përveç kësaj, është edhe vendndodhja gjeostrategjike e vendit në zemër të Evropës.

“Ndikimi i Gjermanisë në BE dhe anëtarësia në NATO e bëjnë atë shënjestër të krimeve kibernetike”, ka shpjeguar Meywirth.

Kriza e COVID-19 ka nxitur Meywirthin dhe ekipin e tij që të shtojnë në listën e tyre edhe disa shënjestra potenciale: portalet e vaksinimit, platformat e edukimit dhe serverët që përdoren për punë nga shtëpia. Kriminelët i kanë sytë edhe te sistemi i rrjeteve të furnizimit për vaksina.

“Një ndërhyrje në operacione në vetëm një kompani mund të ketë ndikim madhor në shoqëri”, ka thënë Meywirth.

Image

Shantazhet digjitale

Është zgjidhur vetëm një e treta e të gjitha rasteve. Sipas BKA-së, një zonë shumë dinamike është shantazhi digjital, duke përdorur një lloj serveri të quajtur ransomware për t’i kriptuar të dhënat e viktimës dhe skedarët “në mënyrë që t’i kërcënojnë viktimat me bërje publike të të dhënave”.

Ky është model i biznesit kriminal që premton të gjenerojë përfitime të mëdha.

Për Sven Herpigun nga SNV-ja – Fondacioni i Berlinit për Përgjegjësi të Reja – ky zhvillim nuk është befasi.

Eksperti i kibernetikës ka argumentuar se Gjermania, në krahasim me botën, është e përgatitur mirë për t’i mënjanur sulmet e dëmshme dhe të kushtueshme. Kurse, infrastruktura kritike mbrohet nga ligji më mirë sesa në shumë vende të tjera. Fakti se Gjermania është e organizuar si një sistem federal me struktura federale, në fakt, është ndihmesë e madhe, ka thënë Herpig. Secili prej 16 shteteve të vendit ka autoritetet e veta të hetimit të krimeve dhe agjencitë e inteligjencës, përfshirë edhe ekspertët e sigurisë së teknologjisë informatike, që “e dinë ku të shikojnë”, ka thënë eksperti i kibernetikës.

“Lulëzimi i ekonomisë së fshehtë”

Megjithëkëtë, Herpig ka thënë se nuk ka diskutime që kriminelët janë gjithmonë një hap përpara. Ai druhet se përpjekjet për t’u përmirësuar kundrejt sulmeve kibernetike nuk po shihen si prioritete kryesore. Masat parandaluese për sigurinë e teknologjisë informative duhet të merren çdokund: në biznes, në zyrat e qeverisë dhe në mesin e qytetarëve të thjeshtë, ka paralajmëruar ai. Vendet që “kriminelët sulmojnë janë ato ku e dinë se mund të bëjnë para”.

“Çdo gjë që është digjitalizuar mund të sulmohet nëse nuk krijojmë siguri të teknologjisë informative në sistem”, ka theksuar ai.

Hetuesit kanë bërë të ditur se për një numër të lartë të sulmeve kibernetike në Gjermani, kriminelët mund të gjurmohen deri në Evropën perëndimore dhe sidomos në Rusi. Herpigu ka ardhur në të njëjtat përfundime. Por, ai ka theksuar se një numër vendesh nga Azia, janë gjithashtu nën vëzhgim nga autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përderisa Kina vazhdon të merret me spiunazh tradicional ekonomik, si vjedhja e patentave, Koreja Veriore përqendrohet në çfarëdo që mund t’i sjellë përfitime programit të saj bërthamor.

Bitkom, asociacioni digjital i Gjermanisë, ka vlerësuar se dëmi shkaktuar kompanive gjermane nga krimet kibernetike kap vlerën prej 1.3 miliardë dollarëve, vetëm gjatë vitit 2019. Kjo shumë mbulohet kryesisht nga kompanitë e sigurimit.

Të dhënat e vjedhura të llogarive bankare

Hetuesit e BKA-së kanë thënë se spektri prej afro 25.000 të dyshuarve të identifikuar vjen duke filluar nga kriminelët që veprojnë vetëm deri te grupet e organizuara që veprojnë në tërë botën. Ekonomia e zezë është vatër e “një industrie të zhvilluar”, që ofron mundësi për të bërë krim të çfarëdo lloji, ka thënë hetuesi i policisë, Meywirth.

Kriminelët kibernetikë punojnë me identitete të vjedhura dhe të dhëna bankare: emra, adresa, numra të kartelave bankare. “Dhe të dhënat përdoren nga kriminelët kibernetikë për të planifikuar dhe realizuar krime të radhës”, ka shpjeguar Meywirth.

Përktheu: Liridona Bytyçi