Tech

Helikopteri i NASA-s fluturon suksesshëm në Mars

“Tani mund të themi se njerëzit e kanë drejtuar një helikopter në një tjetër planet”, ka thënë e lumtur MiMi Aung, menaxhere e projektit për “Ingenuityn” në laboratorin Jet Propulsion nga NASA, në Pasadena të Kalifornisë. “Kemi qenë duke folur qe sa kohë për “çastin tonë të vëllezërve Wright në Mars dhe ja ku është”

Agjencia hapësinore amerikane ka dërguar me sukses një helikopter të vogël në sipërfaqen e planetit Mars.

Droni, i emërtuar “Ingenuity”, ka qëndruar në ajër për më pak se një minutë, por NASA po e cilëson këtë të arritur si fluturimin e parë të kontrolluar në botën tjetër.

Konfirmimi ka ardhur nëpërmjet një sateliti në Mars, i cili i ka dërguar në Tokë të dhënat e helikopterit. Agjencia hapësinore ka premtuar fluturime të tjera të këtilla, në ditët në vijim.

Helikopteri ishte dërguar në Mars nëpërmjet anijes kozmike të NASA-s “Perseverance Rover”, e cila ka mbërritur në shkurt në kraterin Jezero në Planetin e Kuq.

“Ingenuity” do të komandohet për të fluturuar më lart dhe më gjatë, pasi që inxhinierët po mundohen që t’i testojnë kufijtë e teknologjisë.

“Tani mund të themi se njerëzit e kanë drejtuar një helikopter në një tjetër planet”, ka thënë e lumtur MiMi Aung, menaxhere e projektit për “Ingenuityn” në laboratorin Jet Propulsion nga NASA, në Pasadena të Kalifornisë. “Kemi qenë duke folur që sa kohë për ‘çastin tonë të vëllezërve Wright’ në Mars dhe ja ku është”.

Kjo është një referencë për Wilbur dhe Orville Wright, të cilët e kanë krijuar aeroplanin e parë të kontrolluar në Tokë në vitin 1903.

“Ingenuity” madje e ka edhe një copë të vogël nga një nga krahët e “Flyer 1”, aeroplani i parë që bëri fluturimin historik në Kitty Hawk, Karolinë e Veriut, më shumë se 117 vjet më parë.

Laboratori “Jet Propulsion” është pushtuar nga të brohoritura në qendrën e kontrollit, kur fotografitë e para mbërritën në Tokë. Në prapavijë, Aung mund të dëgjohet duke thënë: “Është e vërtetë!”.

Image

Demonstrimi e ka paraqitur helikopterin e Marsit – të quajtur “Ingenuity” – duke u ngritur rreth 3 metra lart, duke qëndruar pezull në ajër, duke u rrotulluar dhe më pas duke aterruar. Tërë kjo u realizua brenda një fluturimi 40-sekondësh, që prej ngritjes e deri në kthim.

Dërgimi i një fluturakeje në Planetin e Kuq nuk është punë e lehtë. Krahasuar me Tokën, densiteti i ajrit aty është vetëm 1 për qind. Kjo ia vështirëson jashtëzakonisht punën fluturakes. Ndonëse graviteti i ulët në Mars është një përparësi, do shumë mund për të aterruar në sipërfaqe.

Prandaj fluturakja “Ingenuity” ishte bërë jashtëzakonisht e lehtë dhe kishte fuqi t’i kthente helikat jashtëzakonisht shpejt - me mbi 2500 rrotullime në minutë për këtë fluturim të veçantë.

Kontrolli ishte autonom.

Largësia në Mars – aktualisht vetëm nën 300 milionë kilometra – do të thotë se radio-sinjalet marrin minuta për ta përshkuar hapësirën. Fluturimi me levë është thjesht i padiskutueshëm. “Ingenuity” i ka dy kamera. Një kamerë bardhë e zi që është e drejtuar kah toka, e cila përdoret për drejtim, dhe një kamerë e cilësisë së lartë me ngjyra që ka pamjen kah horizonti.

Një fotografi e drejtimit të mostrës është kthyer në Tokë, ku shihej hija e helikopterit gjersa aterronte në sipërfaqe. Nasa ka njoftuar se “pista ajrore” në Jezero, ku anija kozmike e ka lëshuar “Ingenuity” për demonstrimin e saj, tani e tutje do të njihet me emrin “Fusha e Vëllezërve Wright”.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) - agjencia e aviacionit civil e Kombeve të Bashkuara - gjithashtu ia ka paraqitur agjencisë dhe Administratës Federale të Aviacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një emërues zyrtar të ICAO: IGY, me nofkën INGENUITY.

Suksesi i kësaj fluturakeje do të thotë se do të realizohen edhe katër fluturime të tjera gjatë ditëve në vijim, ku secili njëri pas tjetrit do të mundohet ta ngrijë helikopterin sa më lart.

Shpresa është që ky demonstrim i parë me kalimin e kohës të mund ta transformojë mënyrën se si i eksplorojmë planetët e tjerë.

NASA tashmë e ka miratuar një mision helikopteri në Titan, hëna e madhe e Saturnit. “Dragonfly”, emri i misionit, duhet të arrijë në Titan gjatë mesit të viteve 2030.

Image