Tech

Një fëmijë postoi në Twitterin e Komandës Strategjike të SHBA-së

Një postim i pakuptueshëm në llogarinë në Twitter të Komandës Strategjike të SHBA-së, e cila drejton forcën e armëve bërthamore të ushtrisë amerikane, është bërë nga një fëmijë, derisa menaxheri i llogarisë ishte në pauzë, tha Komanda Strategjike amerikane.

Menaxheri i Twitterit të Komandës, “për një moment, ka lënë hapur dhe pa mbikëqyrje llogarinë”, tha Komanda Strategjike në një përgjigje me email dërguar REL-it.

Mesazhi, i cili është publikuar më 28 mars, ishte: “;l;;gmlxzssaw”.

Sipas Komandës Strategjike, ai është fshirë brenda disa minutash.

Po sipas saj, çdo sugjerim se llogaria është hakuar është i rremë.

“Absolutisht, asgjë e keqe nuk ka ndodhur”, thuhet në deklaratën e Komandës Strategjike.

Disa njerëz kanë reaguar në mediat sociale, duke sugjeruar se postimi ishte një kod i lëshimit bërthamor.

Komanda Strategjike administron forcën e armëve bërthamore të ushtrisë amerikane dhe mbrojtjet raketore, që janë krijuar për të penguar sulmet kundër vendit.

Komentet e saj mediatike monitorohen nga afër, për të parë nëse ka ndonjë shenjë të ndryshimeve në mbrojtje. \ REL