Tech

WhatsApp ndryshon politikat e privatësisë, përdoruesit kërkojnë alternativa tjera

Descriptive Text

Një numër i madh i përdoruesve e braktisën WhatsApp-in, pasi ai e ndryshoi politikën e tij të privatësisë.

Shqetësimet se të dhënat e tyre mund të përfundojnë në Facebook po i çojnë ata tek konkurrentët, që i mbrojnë më mirë të dhënat.

Sipas firmës analitike të aplikacioneve mobile Sensor Tower, konkurrenti i WhatsApp-it, Signal pati 17.8 milion shkarkime midis 5 janarit dhe 12 janarit, nga vetëm 285.000 një javë më parë. Aplikacioni tjetër i mesazheve Telegram pati 15.7 milionë shkarkime gjatë së njëjtës periudhë, mbi dyfishin e 7.6 milion shkarkimeve që kishte një javë më parë. Shumë u dyndën gjithashtu te mesazheri Threema, më pak i njohur, një aplikacion mesazhesh që përdoret dendur në vendet gjermanofolëse, ku ndjeshmëria ndaj mbrojtjes së të dhënave është e lartë.

“Shkarkimet nuk po ndalen,” i tha DW kreu i marketingut dhe shitjeve i Threemas, Roman Flepp. “Javën e kaluar kemi regjistruar 10 herë më shumë shkarkime ditore sesa në një ditë të rregullt. Kështu që tani po flasim për qindra mijëra përdorues të rinj çdo ditë”.

Shkarkimet e WhatsApp-it ranë në 10.6 milionë, nga 12.7 milionë një javë më parë. Kjo e shtyu WhatsApp të sqarojë se do t’i shtyjë përditësimet deri më 15 maj.

“Nuk jam i befasuar që njerëzit nuk e dinë me të vërtetë se për çfarë duhet të pranojnë, në krahasim me gjërat që miratonin më parë,” tha mbikqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave Wojciech Wiewiorowski.