Tech

Revolucioni në ngecje i veturave pa ngasës

Nga viti 2021, sipas “Silicon Valley luminaries”, politikanëve dhe kompanive të mëdha prodhuese të veturave, automjetet me vetëngasje veçse do të bridhnin rrugëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në autostradat e Britanisë së Madhe dhe madje do të ishin të gatshme edhe robot-taksitë në Londër.

Sidoqoftë, 1 janari nuk e ka sjellë revolucionin e automobilave pa ngasës. Por, në javët e fundit të vitit 2020, Uber, një nga përfituesit më të mëdhenj të supozuar, ka vendosur që t’i ndalë planet për taksi vetëngasës, duke ia shitur divizionin e tij autonom “Aurora”-s me një shumë prej 4 miliardë dollarësh – përafërsisht sa gjysma e vlerës që kishte në vitin 2019.

Ky vendim, ka protestuar shefi ekzekutiv i Uber-it, nuk do të thotë se kompania nuk beson më në vetura vetëngasëse.

“Pak teknologji janë kaq premtuese për t’i përmirësuar jetët e njerëzve me anë të transportit më të sigurt, më të qasshëm dhe që e mbron mjedisin”, ka thënë Dara Khosrowshahi. Por, tani përherë e më shumë njerëz kanë dyshime për sa u përket këtyre premtimeve.

Profesori Nick Reed, këshillues transporti që ka udhëhequr testimet për vetura vetëngasëse në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se “perspektiva ka ndryshuar që nga viti 2015, kur me gjasë ishte pika kulminante”.

“Realiteti po na tregon se ka sfida dhe ndërlikime”, ka shtuar ai.

Vozitja automatike, ka thënë Reed, prapëseprapë mund të jetë e mundshme brenda pesë vjetëve të ardhshëm në autostradat me korsi të ndara, të kufizuara për makinat motorike që shkojnë të gjitha në të njëjtin drejtim. Përdorimi i gjithanshëm në qytete mbetet një perspektivë paksa më e largët, por ai thotë se “përfitimet janë ende këtu”.

Përfitimet

Image

Përfitimi më i përmendur është siguria, pasi gabimet e njerëzve janë cilësuar si shkaktare për më shumë se 90 për qind të aksidenteve rrugore. Ithtarët e këtyre veturave gjithashtu thonë se automobilat autonomë mund të jenë më efikasë dhe mund ta ulin edhe mbingarkesën.

Kur shikojmë prapa, Reed thotë se “teknologjia ka funksionuar… njerëzit e kishin kuptuar, ajo i bën gjërat e duhura në pjesën dërrmuese të kohës, e kemi kryer 90 për qind të rrugës”.

“Por, është ajo pjesëz e vogël që është më e vështira. Të qenët të gatshëm për të bërë gjënë e duhur çdo herë, qoftë edhe atëherë kur është duke rënë shi, borë, kur ka mjegull, është sfidë më e madhe se që parashihet”, ka thënë ai.

“Waymo”, kompania e gjigantit “Google” që ka prirë në këtë fushë, mund të jetë rast tipik: e kanë habitur shpejt botën me pamjet filmike të veturave me vetëngasje, por hapat pasues kanë qenë të vegjël.

Në tetorin e shkuar kompania ka njoftuar se publiku tani mund t’i mirëpresë taksitë tërësisht pa vozitës brenda “një të ardhmeje të afërt”. Taksitë robotike kanë ngecur gjithashtu papritur.

Sikur Uber-i, firma e veturave Addison Lee kishte shfaqur ambicie të guximshme, duke arritur ujdi me kompaninë britanike Oxbotica më 2018 për t’i nxjerrë robotaksitë në Londër qysh më 2021.

Kjo marrëveshje ishte hedhur poshtë në mars të vitit të kaluar, nën udhëheqësinë e re. Shefi ekzekutiv i Addison Lee, Liam Griffin, ka thënë se veturat vetëngasëse u lihen prodhuesve dhe nuk janë pjesë e planeve të kompanisë.

Lansimi i shërbimit të taksive autonome nga Ford është shtyrë gjithashtu të paktën deri në vitin 2022, për shkak të pandemisë.

“Globalisht, COVID-19 i ka vonuar testimet dhe lansimet e veturave automatike”, ka thënë Mike Hawes, shefi ekzekutiv i Shoqërisë për Prodhuesit dhe Tregtarët e Motorëve.

Ndryshimet rregullatore ende mund të lejojnë që të ndodhin zhvillimet si “Automated Lane Keeping

Pengesat

Image

Alexandra Smyth, udhëheqëse e sistemeve autonome në Akademinë Mbretërore të Inxhinierisë, ka thënë se ka shumë përparim dhe zhvillime interesante me rregullimet dhe kodet e praktikës – të gjithë përbërësit e rëndësishëm që renditen përreth vetë teknologjisë.

“Por në realitet, prapëseprapë do të bëhen gabime dhe gjërat nuk ndodhin ashtu siç shpresojmë. Besimi i publikut do të jetë një nga pengesat kryesore”, ka thënë ajo.

Frika mes njerëzve është vënë në pah pasi që një veturë vetëngasëse e Uber-it kishte shkaktuar vdekjen e një këmbësori në Arizona më 2018. Dhe pavarësisht deklaratave të guximshme të Elon Muskut për Teslën dhe raporteve se Apple në fshehtësi është duke u munduar që ta krijojë një veturë autonome të sajën deri më 2024, ligji nuk parashihet që t’i lejojë vozitësit të heqin dorë nga timoni.

Bota me vetura pa ngasës, sipas Paul Newman nga “Oxbotica”, është një “zbarkim i madh”: veturat janë treg i madh, por ky njëherësh është tregu më i vështirë për t’u transformuar.

Newman e krahason përparimin me telefonat celularë, duke e sjellë ndërmend telefonin e parë që kishte parë e të cilin e kishte përdorur Danny Gloveri në filmin e vitit 1987 “Lethal Weapon”. Ky telefon e kishte madhësinë e një valixheje të vogël.

“A është duke ardhur e ardhmja e veturave pa vozitës? Sigurisht sikurse telefonat celularë. Ky është cikli normal nëpër të cilin kalon teknologjia. Ende po lëvizim nëpër atë rrugë”, ka thënë ai.

“Kemi kaluar nëpër fazën e ndritshme, kur kishim thënë se është gjashtë muaj larg…Tani inxhinierët thonë kjo se është e vështirë”.