Tech

Galaxy A42 5G, një smartfon 5G me çmim të lirë

Kur përmenden telefonat e reja të mençur që mbështesin rrjetin më të fundit 5G, ato priten të jenë me teknologji të fundit dhe me çmim të shtrenjtë. Fatmirësisht, nuk duhet të presim me vite derisa të bie çmimi i këtyre telefonave, pasi që Samsungu së fundmi ka njoftuar se do të lansojë telefonin e ri Galaxy A42 i cili do të mbështesë rrjetin 5G.

Derisa specifikat e këtij telefoni të ri të Samsungut nuk janë mbresëlënëse, çmimi i tij dhe fakti që mbështet 5G-në e bëjnë atë një pajisje mjaft tërheqëse, shkruan ubergizmo, transmeton KOHA.

Galaxy A42 pritet të vijë me ekran 6.6-inç me rezolucion HD, kamerën e përparme prej 20-megapiskelësh dhe katër kamera në pjesën e pasme (48+8+5+5-megapikselë).

Gjithashtu, së fundmi është spekuluar se ky telefon 5G do të vijë me procesor Snapdragon 690 të Qualcommit, 4 GB të RAM memories si dhe me bateri prej 5.000 mAh. Po ashtu pritet të vijë edhe me 64 dhe 128 GB të memories së brendshme.

Sa i përket çmimit, Samsung Galaxy A42 5G do të kushtojë 369 euro dhe pritet të jetë në dispozicion fillimisht në Gjermani duke filluar nga muaji nëntor i këtij viti. Aktualisht, nuk dihet se a do të jetë në dispozicion edhe në tregjet tjera.