Tech

Kompania franceze prodhon testin e shpejtë për COVID-19

Foto: Reuters

Kompania franceze e diagnostikimit “NG Biotec” ka prodhuar një test të shpejtë serologjik, i cili mund të tregojë nëse një person është i infektuar apo ka qenë në kontakt me koronavirusin.

Gjithë këtë testi i ri i arrin përmes vetëm një pike të gjakut nga pacienti i testuar. Për më tepër, rezultatet janë në dispozicion brenda vetëm 15 minutash.

Kompania, me seli në Bretanjë të Francës, do të nxjerrë në treg testet e shpejta gjatë tri javëve të ardhshme, me qëllimin që të prodhojë gjashtë milionë teste të tilla gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. “Është një kuti që përfshin një mjet shpues dhe një kolektor gjaku kapilar, raporton Reuters, transmeton KOHA.

Pra, mund të vendosësh thjesht gishtin, jep një pikë gjak duke e rrotulluar atë, pika e gjakut vendoset në test dhe aty shton edhe dy pika solucion mbrojtës. Më pas fillon një proces dhe në 15 minuta jepet rezultati. Testi do të tregojë nëse personi ka zhvilluar apo jo imunitet ndaj virusit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Bazuar në të dhënat e kompanisë, testi i dallon antitrupat që trupi i njeriut zhvillon kundër virusit, në rast se ka qenë në kontakt me virusin. Këta antitrupa shfaqen ndërmjet periudhës prej pesë deri në 15 ditë nga infektimi.

Testi mund të përdoret disa herë. Për momentin ai konceptohet ekskluzivisht për përdorim profesional, që do të thotë për laboratorët biologjikë, por mund të kryhet edhe në shtratin e një pacienti.

Kompania synon të prodhojë 500 mijë teste në muaj, duke filluar nga maji, mirëpo kapaciteti do të rritet deri në 2 milionë teste për muaj, me kalimin e kohës.

Por për gjashtë muajt e parë kompania planifikon që të prodhojë të paktën gjashtë milionë teste, ndërkohë që po kërkon mënyra për të kapërcyer këtë objektiv duke qenë se kërkesa është shumë e lartë.