Tech

“Zoomi” kërkon falje për problemet pas mbingarkesës

Aplikacioni “Zoom” ka ndaluar zhvillimin e çdo lloj veçorie të re për t’u fokusuar në çështjet e sigurisë dhe privatësisë, pas kritikave të marra nga përdoruesit.

Në një postim në një blog, shefi ekzekutiv i aplikacionit të video-konferencave ka kërkuar falje për “dështimin” në çështjet e sigurisë dhe ka premtuar adresimin e shqetësimeve.

Ai ka thënë se përdorimi i “Zoomit” ka shpërthyer në shumë mënyra aq sa s’ka qenë e mundur të parashikohej para pandemisë së koronavirusit.

“Zoom” tani po përdoret nga miliona njerëz për punë dhe mësime, teksa shumica e shteteve në botë janë izoluar.

Eric Yuan ka folur se si ka shpërthyer përdorimi i këtij aplikacioni.

“Deri kah fundi i dhjetorit të vitit të shkuar, maksimumi i pjesëmarrësve në mbledhjet e përditshme, ata falas dhe me pagesë, ishte rreth 10 milionë. Në muajin mars këtë vit, kemi arritur më shumë se 200 milionë”, ka thënë ai.

Ai ka pranuar se pavarësisht “punës jashtë orarit” për të lejuar fluksin e madh të vizitorëve të rinj, shërbimi “ka dështuar në pritjet e komunitetit për privatësi dhe siguri”.

“Për këtë, më vjen shumë keq”, ka shkruar ai.

“Nuk e kemi bërë këtë produkt me parashikim aq të lartë, në pak javë, se çdo person në botë papritmas do të punonte, mësonte apo socializohej nga shtëpia”, ka shkruar ai. “Tani kemi rrjet shumë më të gjerë të përdoruesve që po mësohen me produktin tonë duke na prezantuar shumë sfida neve”.

“Zoom” është kritikuar për shumë çështje të privatësisë, përfshirë dërgimin e të dhënave në Facebook, dhe duke lejuar mbikëqyrjen e përdoruesve.

“Zoom” është lansuar më 2011.