Tech

Facebooku anulon ngjarjen më të madhe të vitit për shkak të koronavirusit

Foto: CNET

Rrjeti më i madh social, Facebook, këtë të enjte ka thënë se do të anulojë konferencën vjetore F8 të zhvilluesve, ngjarjen më të madhe të tij të vitit, për shkak të shqetësimeve rreth përhapjes së koronavirusit të ri.

Koronavirusi, që mban emrin zyrtar COVID-19, vazhdon të ndikojë në veprimtaritë e kompanive më të mëdha botërore të teknologjisë, shkruan cnet.

Facebooku, po ashtu, do të anulojë edhe pjesëmarrjen në ngjarjet tjera, duke përfshirë Kongresin Botëror të Celularëve (MWC 2020), dhe shqetësohet se ky virus do ta detyrojë Japoninë të konsiderojë anulimin e Lojërave Olimpike 2020 po ashtu, transmeton Koha.net. Ky rrjet social, së bashku me Sonyn dhe Microsoftin, po ashtu janë tërhequr nga Konferenca e Zhvilluesve të Video-lojërave (Game Developers Conference) që do të mbahet në San Francisko.

“Ky ishte një vendim i vështirë që duhej marrë - F8 është një ngjarje shumë e rëndësishme për Facebookun dhe është njëra nga mënyrat më të parapëlqyera për të festuar së bashku me ju në mbarë botën - por duhet të kemi prioritet shëndetin dhe sigurinë e partnerëve tanë zhvillues, punëtorët dhe çdo kë që ndihmon të mbahet F8”, ka thënë në një deklaratë Konstantinos Papamiltiadis, drejtori i programeve dhe platformave zhvilluese në Facebook.

Konferenca F8 e zhvilluesve ishte e caktuar që të mbahet më 5 dhe 6 maj, në Qendrën e Konventave “McEnery” në San Jose, Kaliforni. Vitin e kaluar, në këtë ngjarje morën pjesë mbi 5,000 zhvillues, kreatorë dhe ndërmarrës nga e gjithë bota.