BE-ja synon rregulla të rrepta për përdorimin e inteligjencës artificiale

BE-ja synon rregulla të rrepta për përdorimin e inteligjencës artificiale

20 February 2020 09:06

Bashkimi Evropian ka shpallur propozimet për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale.

Propozimet bëjnë thirrje për rregulla të rrepta, dhe masa mbrojtëse për zbatimin e kësaj teknologjie, e cila po shënon zhvillim të shpejtë, raporton REL.

Raporti është pjesë e strategjisë më të gjerë digjitale të bllokut, që synon të ruajë pozicionin e tij si përcaktues global mbi standardet teknologjike.

Në bazë të propozimeve, kompanitë e teknologjisë që kërkojnë të futen në tregun e gjerë dhe fitimprurës të Evropës, përfshirë ato nga SHBA-ja dhe Kina, do të duhet të zbatojnë rregullat e reja evropiane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte porositur zyrtarët e lartë të Komisionit, që brenda 100 ditësh pasi ajo mori detyrën, në dhjetor, të propozonin një qasje të koordinuar evropiane për inteligjencën artificiale dhe strategjinë e të dhënave.

"Ne do të jemi veçanërisht të kujdesshëm, kur vihen në diskutim të drejtat dhe interesat thelbësore të njeriut", u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel.

"Inteligjenca artificiale duhet t'u shërbejë njerëzve, dhe për këtë arsye inteligjenca artificiale duhet të jetë gjithmonë në përputhje me të drejtat e njerëzve", tha ajo.

Sipas Komisionit Evropian, vendosja e rregullave të qarta për këtë çështje është e nevojshme për të adresuar "sistemet e rrezikut të lartë" si ato në shëndetësi, polici ose transport, të cilat duhet të jenë "transparente, dhe të garantojnë mbikëqyrjen nga ana e njeriut ".

“Teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, duke e bërë bujqësinë më efikase ose për të luftuar ndryshimin e klimës. Por, gjithashtu sjell rreziqe të tilla në aspekt të "vendimmarrjes, diskriminimit me bazë gjinore, ndërhyrje në privatësinë ose të përdoret për qëllime kriminale”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.

Sipas propozimeve, të cilat janë të hapura për konsultime publike deri më 19 maj, autoritetet e BE-së, dëshirojnë të jenë në gjendje të testojnë dhe vërtetojnë të dhënat e përdorura nga algoritmet që fuqizojnë inteligjencën artificiale.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme