Tech

Dyshime rreth qëndrueshmërisë së telefonave të palosshëm

Telefonat e palosshëm “Galaxy Z Flip” dhe “Motorola Razr” kanë dalë në shitje në tregun amerikan, por raportimet e para tregojnë se ekranet e tyre mund shumë lehtë të dëmtohen. Një portal amerikan publikoi dy foto të shtresave të“Razr”, të cilat kanë ndikim te ekrani. Ndërkaq modeli “Galaxy Z Flip”, ka një ekran me xham fleksibil, mirëpo testet kanë treguar se thyhet më lehtë sesa ekranet plastike.

Deri më tani nuk dihet se në sa telefona është i përhapur ky problem. Në një deklaratë për media, kompania “Samsung” është arsyetuar se ekrani ka një shtresë mbrojtëse dhe për këtë ka bërë një seri testesh të vështira.

“Derisa ekrani thyhet, telefoni duhet të mbahet me kujdes”, thuhej në arsyetimin e kompanisë koreanojugore. Problemet me ekranet janë shpërfaqur pas lansimit të telefonit të parë të palosshëm nga “Samsung”-u, një vit më parë. Disa analistë kanë vënë në dyshim faktin nëse teknologjia me ekrane të palosshme është gati për tregun botëror.

Telefoni i palosshëm i “Samsung”-ut kushton 1 mijë e 300 dollarë, derisa ai i “Motorola”-s mund të blihet me kontratë për 94 dollarë në muaj.

Në promovimin e telefonit të palosshëm, “Samsung”-u vazhdimisht ka përmendur “xhamin super të hollë”, por në testet e qëndrueshmërisë, të bëra nga analistë të shumtë, xhami nuk ishte më i qëndrueshëm se një ekran plastik, madje mund të thyhej edhe me një goditur të thoit.

Analisti teknologjik, Zack Nelson, ka thënë se xhami i telefonit të palosshëm të “Samsung”-ut, është i ngjashëm me plastikën.

“Nuk e di se çfarë materiali është, por ‘Samsung’-u nuk duhet ta quajë xham”, ka thënë ai.

Sa i përket ekranit të “Motorola Razr”, Nelson ka zbuluar se xhami thuhet lehtë, ani pse kompania nuk e ka promovuar atë si “xham”.

Raymond Wong, analist për revistën “Input”, ka thënë se shtresa që ndan ekranin e telefonit “Razr”, ka krijuar një flluskë ajri horizontale pa ndonjë arsye. Wong ka shkruar po ashtu se përveç problemeve pamore, dëmi në shtresën ka ndikuar në reagimin e ekranit.

Kompania “Lenovo”, e cila e menaxhon “Motorola”-n, ka deklaruar se është duke e hetuar këtë problem.

“Përkundër problemeve të hershme të pajisjeve me ekran të palosshëm, jam i bindur se kjo teknologji do t’ia ndërrojë formën e biznesit të elektronikës”, ka thënë Wong.