Dekompozimi i trupave për mbrojtjen e tokës

Dekompozimi i trupave për mbrojtjen e tokës

19 February 2020 08:09

Një kompani amerikane ka dhënë të martën hollësi shkencore për procesin e dekompozimit të trupave njerëzor, që do të ketë ndikim pozitiv në ambient. Një pilot-studim i kryer me një numri vullnetarësh tanimë të vdekur, ka treguar se indet janë shpërbërë brenda 30 ditësh.

Kompania “Recompose” ka pohuar se procesi i dekompozimit kursen më shumë se një ton karbon, krahasuar me procesin e djegies së trupave ose varrimit tradicional. Kjo kompani është e gatshme që të ofrojë shërbimin e parë të dekompozimit të trupave në Washington, duke filluar nga muaji shkurt i vitit 2021, transmeton “Koha Ditore”.

Shefja ekzekutive dhe themeluesja e kompanisë “Recompose”, Katrina Spade, ka thënë se shqetësimet në lidhje me ndryshimet klimatike kanë qenë faktor kryesor që ka ndikuar që shumë njerëz të shprehin interesimin për shërbimet e dekompozimit të trupave.

“Deri më tani, 15 mijë persona janë regjistruar për këtë shërbim. Ligji për të lejuar këtë proces ka marrë përkrahje të madhe prejse është dorëzuar”, ka thënë Spade. “Projekti ka ecur përpara kaq shpejt, për shkak të urgjencës për ndryshimet klimatike dhe ndërgjegjësimit se këtë punë duhet ta bëjmë me përpikëri”, ka shtuar ajo.

Hollësitë nga procesi i dekompozimit, të cilin kompania e quan reduktim natyral i organeve, është prezantuar në një takim të Asociacionit amerikan për Avancimin e Shkencës.

Ani pse projektin e ka prezantuar një vit më parë, Spade ka bërë të ditur se ideja i lindi para 13 vjetësh, kur filloi të mendonte për vdekjen e vet sa ishte 30 vjeç.

“Kur të vdesë, ky planet që më ka ruajtur dhe përkrahur gjatë gjithë jetës, a nuk e meriton t’ia kthej ato që kanë mbetur nga unë. Ky është një veprim shumë logjik dhe i bukur”, ka thënë Spade.

Ajo ka sqaruar edhe dallimin mes dekompozimit dhe rikompozimit të trupave njerëzor. E para e përfshinë atë çfarë ndodh kur trupi qëndroni mbi tokë. Ndërsa e dyta përfshinë integrimin e trupit me tokën.

Ajo ka thënë dekompozimi organik i trupit parandalon shpërndarjen e 1.4 tonë karbon në atmosferë. Kjo sasi lirohet në procesin e djegies së trupave.

Ajo ka shtuar po ashtu se me procesin e dekompozimit mund të kursehen shumë para që përdoren për varrimet tradicionale. Këtu nuk përmenden edhe çmimet e larta që ofrohen për blerjen e arkivolit dhe transportin e tij deri te vendi i varrimit.

“Për shumë njerëz, procesi ka të bëjë me mënyrën se si duan t’i prijnë jetës së tyre. Ata duan që të keni një plan të mirë të vdekjes që tregon edhe mënyrën se si kanë jetuar”, ka thënë Spade.

Procesi i dekompozimit përfshin shtrirjen e trupit në kuti me byk, jonxhë dhe kashtë. Trupi ngadalë rrotullohet për t’ua mundësuar mikrobeve shpërbërjen e tij. Tridhjetë ditë më vonë, mbetjet e trupave u dorëzohen familjarëve, në mënyrë që të mund të derdhen mbi bimë dhe pemë.

Edhe pse procesi ka ecur përpara, janë dashur katër vjet hulumtime shkencore për ta përsosur teknikën.

Për këtë është angazhuar edhe profesoresha që studion cilësitë e dheut, Lynne Carpenter Boggs. Bashkëpunimi me të është bërë për të vërtetuar nëse procesi i dekompozimit të trupit është i sigurt për natyrën. Studimet e projektit u realizuan me trupat e gjashtë vullnetarëve që morën vendim për t’u bërë pjesë e procesit pas vdekjes së tyre.

“Vazhduam kontrollin e trupave çdo ditë. Gjendja ime ishte krejt tjetër. Nuk mund të flija gjatë tërë natës. Nuk isha e uritur shkaku i stresit me procesin e dekompozimit”, ka thënë Spade.

Profesoresha Carpenter-Boggs bëri të ditur se trupi gjatë rikompozimit, në një periudhë të caktuar, ka arritur temperaturën deri në 55 gradë celsius.

“Jemi të sigurt se me këtë temperaturë janë shkatërruar organizmat që shkaktojnë sëmundjet te trupi i njeriut”, ka sqaruar Spade.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme