Tech

Zbulohen madhësitë e modeleve të iPhone për sivjet

Sipas paralajmërimeve, në shkurt Apple do ta fillojë prodhimin e modelit më të lirë iPhone, i cili do të duhej të emërtohet iPhone 9. Telefoni pritet të dalë në treg në muajin mars. Gjatë shtatorit pritet lansimi i modelit premium të iPhonet. Tani një raport i ri nga blogu Macotakara i zbulon madhësitë e iPhoneve të sivjetshëm, raporton PlayfulDroid.

Sipas raportit më të ri nga blogu japonez, telefoni i sivjetmë iPhone 12, do të ketë model me ekran prej 5.4 inçësh, si dhe model prej 6.1 inçësh. Në fund, modeli më i madh i iPhone 12 do të ketë ekran 6.7 inçësh (me trashësi prej 7.4 mm). Sigurisht që pritet gjithashtu iPhone 9 më i lirë, me një ekran prej 4.7 inçësh.

Të gjithë iPhonet premium do të duhej të kenë panele OLED dhe sisteme të ndryshme kamerash, shkruan KOHA Ditore. Modeli bazë do të ketë sistem me dy kamera, modeli me ekran 6.1 inçësh do të ketë opsione me dy ose tri kamera, ndërsa iPhone 12 6.7 inçësh do të ketë sistem me tri kamera.

Në fund, iPhone 9 do të duhej ta implementojë një dizajn të ngjashëm me versionin iPhone 8, me sensor Touch ID.