Telefoni i palosshëm OnePlus nuk pritet në të ardhmen e afërt

Telefoni i palosshëm OnePlus nuk pritet në të ardhmen e afërt

21 January 2020 13:37

Telefonat e palosshëm kanë qenë gjithmonë temë debatesh dhe dyshimesh. Të paktë janë ata që e kundërshtojnë pamjen mahnitëse, konceptet futuristike dhe procesin mbresëlënës të prodhimit të këtyre pajisjeve.

Megjithatë, shumë theksojnë se bëhet fjalë për pajisje mobile jopraktike për përdorim të përditshëm, veçanërisht duke marrë parasysh çmimin e tyre dhe mungesën e qëndrueshmërisë, raporton SlashGear.

Një nga ata që janë skeptikë në lidhje me telefonat fleksibilë është edhe drejtori ekzekutiv i kompanisë OnePlus, Pete Lau. Në një intervistë për The Verge, Lau shprehu pikëpamjen e tij se problemet dhe defektet e ekraneve e tejkalojnë çdo përfitim që formati i ri i prodhimit mund ta mundësojë, shkruan KOHA Ditore. Ai nuk është veçanërisht i impresionuar me rrudhën që formohet në vendin ku ekrani lakohet, dhe kjo është diçka që asnjë prodhues i pajisjeve të palosshme ende nuk ka qenë në gjendje ta zgjidhë plotësisht.

Pozicioni i kompanisë OnePlus është i kundërt me atë të konkurrentëve dhe rivalëve të kompanisë. Xiaomi, OPPO dhe, natyrisht, Huawei i kanë prezantuar format e tyre të pajisjeve të palosshme, megjithëse vetëm Huawei i shet këta telefona. Lau thekson se kompania i ka marrë në konsideratë të gjitha opsionet, por e zbuloi vetëm një prototip funksional, pas të cilit ndaloi me zhvillimin e telefonave fleksibilë.

Natyrisht, OnePlus mban të drejtën për ta ndryshuar qëndrimin e vet në një datë të mëvonshme, ashtu siç ishte rasti edhe me portet e kufjeve dhe mbështetjen për 5G. Por tani për tani, kompania nuk ka ndërmend të hyjë në tregun e telefonave fleksibilë në të ardhmen e afërt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme